Psalms 88
1O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje. 2Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time, 3sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol. 4Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë. 5Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote. 6Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat. 7Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela) 8Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal. 9Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia. 10A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela) 11A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit? 12A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës? 13Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes. 14Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde? 15Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur. 16Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar, 17më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur. 18Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira.
Copyright information for
Alb