Acts 2

1Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend. 2Dhe befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin. 3Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre. 4Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin. 5Por në Jeruzalem banonin disa Judenj, njerëz të perëndishëm, nga të gjitha kombet nën qiell. 6Kur u dëgjua ajo ushtimë, turma u mblodh dhe u hutua, sepse secili nga ata i dëgjonte të flisnin në gjuhën e vet. 7Dhe të gjithë habiteshin dhe mrekulloheshin dhe i thoshnin njëri-tjetrit: ''Ja, a nuk janë të gjithë Galileas këta që flasin? 8Si vallë secili nga ne i dëgjon të flasin në gjuhën e vet amtare? 9Ne Partët, Medët, Elamitët dhe banorët e Mesopotamisë, të Judesë dhe të Kapadokisë, të Pontit dhe të Azisë, 10të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit dhe të pjesëve të Libisë përballë Kirenës, dhe ne të ardhur nga Roma, Judenj dhe prozelitë, 11Kretas dhe Arabë, i dëgjojmë të flasin për gjërat e mëdha të Perëndisë në gjuhët tona!''. 12Dhe të gjithë habiteshin dhe ishin hutuar dhe i thonin njëri-tjetrit: ''Ç'do të thotë kjo?''. 13Kurse të tjerë i përqeshnin dhe thonin: ''Janë plot me verë të ëmbël!''. 14Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët dhe u foli atyre me zë të lartë: ''Judenj dhe ju të gjithë që banoni në Jeruzalem, merrni njoftim për këtë dhe dëgjoni me vëmendje fjalët e mia. 15Këta nuk janë të dehur, siç po mendoni ju, sepse është vetëm ora e tretë e ditës. 16Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel: 17"Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra. 18Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë. 19Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi. 20Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit. 21Dhe do të ndodhë që kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet". 22Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini, 23ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë. 24Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë. 25Në fakt Davidi thotë për të: "E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos hiqem. 26Për këtë u gëzua zemra ime dhe ngazëlloi gjuha ime, dhe edhe mishi im do të qëndrojë në shpresë. 27Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen. 28Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde". 29Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme. 30Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t'u ulur mbi fronin e tij; 31dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen. 32Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë! 33Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni. 34Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell, madje ai vetë thotë: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, 35derisa unë t'i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua!". 36Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht''. 37Kur ata i dëgjuan këto gjëra, u pikëlluan në zemër dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: ''Vëllezër, ç'duhet të bëjmë?''. 38Atëherë Pjetri u tha atyre: ''Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. 39Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t'i thërrasë''. 40Dhe me shumë fjalë të tjera u përbetohej dhe i nxiste, duke thënë: ''Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur!''. 41Dhe ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan; atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta. 42Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje. 43Dhe të gjithëve u kishte hyrë druajtja; dhe shumë shenja e mrekulli bëheshin nga dora e apostujve. 44Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët. 45Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit. 46Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre, 47duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar.
Copyright information for Alb