Deuteronomy 3

1"Pastaj u kthyem dhe u ngjitëm nëpër rrugën e Bashanit; dhe Ogu, mbret i Bashanit, me gjithë njerëzit e tij, na doli kundër për t'u ndeshur në Edrej. 2Por Zoti më tha: "Mos ki frikë nga ai, sepse unë do ta jap atë në duart e tua, tërë njerëzit e tij dhe vendin e tij; do t'i bësh atij atë që i bëre Sihonit, mbretit të Amorejve, që banonte në Heshbon". 3Kështu Zoti, Perëndia ynë, na dha në dorë edhe Ogun, mbretin e Bashanit, me gjithë njerëzit e tij; dhe ne e mundëm atë pa lënë gjallë asnjë. 4Në atë kohë pushtuam tërë qytetet e tij; nuk pati qytet që nuk ra në dorën tonë: gjashtëdhjetë qytete, tërë krahina e Argobit, mbretëria e Ogut në Bashan. 5Tërë këto qytete ishin të fortifikuara me mure të larta, porta dhe shufra hekuri, pa llogaritur një numër të madh fshatrash. 6Ne vendosëm t'i shfarosim, ashtu si kishim vepruar me Sihonin, mbretin e Heshbonit, duke shkatërruar plotësisht tërë qytetet, duke shfarosur burrat, gratë dhe fëmijët. 7Por mbajtëm si plaçkë tërë bagëtinë dhe plaçkat e qyteteve të tyre. 8Në atë kohë, pra, morëm nga duart e dy mbretërve të Amorejve vendin që ndodhet matanë Jordanit, nga përroi i Armonit deri në malin e Hermonit, 9(Hermoni quhet Sirion nga Sidonët dhe Senir nga Amorejtë), 10të gjitha qytetet e fushës, tërë Galaadin, tërë Bashanin deri në Salkah dhe në Edrej, qytete të mbretërisë së Ogut në Bashan. 11Sepse Ogu, mbret i Bashanit, ishte i vetmi që kishte mbetur gjallë nga fisi i gjigantëve. Ja, shtratin i tij ishte një shtrat prej hekuri (a nuk ndodhet sot ndofta në Rabah të Amonitëve?). Ai është i gjatë nëntë kubitë dhe i gjerë katër kubitë, simbas kubitit të njeriut. 12Në atë kohë ne pushtuam këtë vend; unë u dhashë Rubenitëve dhe Gaditëve territorin e Aroerit, gjatë përroit Arnon deri në gjysmën e krahinës malore të Galaadit së bashku me qytetet e tij; 13dhe i dhashë gjysmës së fisit të Manasit mbetjen e Galaadit dhe tërë Bashanin, mbretërinë e Ogut (tërë krahinën e Argobit me gjithë Bashanin, që quhej vendi i gjigantëve. 14Jairi, bir i Manasit, mori tërë krahinën e Argobit, deri në kufijtë e Geshuritëve dhe të Maakathitëve; dhe u vuri emrin e tij lagjeve të Bashanit, që edhe sot quhen qytetet e Jairit). 15Dhe i dhashë Makirin Galaadit. 16Rubenitëve dhe Gaditëve u dhashë territorin e Galaadit deri në përroin e Armonit, bashkë me gjysmën e lumit që shërben si kufi, dhe deri në lumin Jabok, që është kufiri i bijve të Amonit, 17dhe Arabahun, me Jordanin si kufi, nga Kinerethi deri në bregun lindor të detit të Arabahut poshtë shpatëve të Pisgahut. 18Në atë kohë unë ju dhashë këtë urdhër, duke thënë: "Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë këtë vend që ta zotëroni. Ju të gjithë, njerëz trima, do të kaloni Jordanin të armatosur, në krye të bijve të Izraelit, të vëllezërve tuaj. 19Por bashkëshortet tuaja, të vegjëlit dhe bagëtia juaj (e di që keni shumë bagëti) do të mbeten në qytetet që ju kam dhënë, 20për deri sa Zoti t'i lërë vëllezërit tuaj të çlodhen, ashtu siç bëri me juve, dhe të shtien edhe ata në dorë vendin që Zoti, Perëndia juaj, u jep atyre matanë Jordanit. Pastaj secili ka për t'u kthyer në trashëgiminë që ju dhashë". 21Në atë kohë urdhërova gjithashtu Jozueun, duke thënë: "Sytë e tu kanë parë të gjitha ato që Zoti, Perëndia juaj, u ka bërë këtyre dy mbretërve; në të njëjtën mënyrë do të veprojë Zoti në të gjitha mbretëritë që do të përshkosh. 22Mos kini frikë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, ka për të luftuar ai vetë për ju". 23Në të njëjtën kohë unë iu luta Zotit, duke i thënë: 24O Zot, O Zot, ti ke filluar t'i tregosh shërbëtorit tënd madhështinë tënde dhe dorën e fuqishme që ke; sepse cila është perëndia në qiell apo në tokë që mund të kryejë vepra dhe mrekulli si ato që bën ti? 25Prandaj më ler të kaloj Jordanin për të parë vendin e bukur që është matanë tij, krahinën e bukur malore dhe Libanin". 26Por Zoti u zemërua me mua, për shkakun tuaj, dhe nuk e plotësoi dëshirën time. Kështu Zoti më tha: "Mjaft me kaq; mos më fol më për këtë gjë. 27Ngjitu në majën e Pisgahut, hidh sytë nga perëndimi, nga veriu, nga jugu dhe nga lindja dhe sodit me sytë e tu, sepse ti nuk do ta kalosh këtë Jordan. 28Por jepi urdhër Jozueut, përforcoje dhe jepi zemër, sepse ai do ta kalojë Jordanin në krye të këtij populli dhe do ta bëjë Izraelin zot të vendit që ke për të parë". 29Kështu u ndalëm në luginën përballë Beth-Peorit".
Copyright information for Alb