Exodus 26

1"Do të bësh pastaj tabernakullin me dhjetë pëlhura prej liri të hollë të përdredhur, me fije ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, së bashku me kerubinë të punuar artistikisht. 2Gjatësia e çdo pëlhure do të jetë njëzet e tetë kubitë dhe gjerësia e çdo pëlhure katër kubitë; të gjitha pëlhurat do të kenë po atë masë. 3Pesë pëlhura do të bashkohen midis tyre dhe pesë pëlhurat e tjera do të bashkohen gjithashtu midis tyre. 4Do të bësh sythe ngjyrë vjollce mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë; të njëjtën gjë do të bësh në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë. 5Do të bësh pesëdhjetë sythe mbi pëlhurën e parë dhe pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme: këto sythe do të korrespondojnë me njëri-tjetrin. 6Dhe do të bësh pesëdhjetë kapëse ari dhe do t'i bashkosh pëlhurat njëra me tjetrën me anë të kapëseve, në mënyrë që tabernakulli të formojë një të tërë. 7Do të bësh gjithashtu pëlhurë me lesh dhie, që të shërbejnë si çadër mbi tabernakullin: do të bësh njëmbëdhjetë pëlhura të tilla. 8Gjatësia e çdo pëlhure do të jetë tridhjetë kubitë dhe gjerësia e çdo pëlhure katër kubitë; të njëmbëdhjetë pëlhurat do të kenë të gjitha po atë masë. 9Do të bashkosh pesë pëlhurat midis tyre, dhe gjashtë të tjerat midis tyre; do ta ripalosësh mbi vetveten pëlhurën e gjashtë në pjesën e përparme të çadrës. 10Do të bësh gjithashtu pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë dhe pesëdhjetë sythe në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë të pëlhurave. 11Do të bësh edhe pesëdhjetë kapëse prej bronzi dhe do t'i futësh kapëset në sythet, duke e bashkuar kështu çadrën në mënyrë që të formojnë një të tërë. 12Nga pjesa që tepron nga pëlhurat e çadrës, gjysma e pëlhurës së tepërt do të bjerë mbi pjesën e poshtme të tabernakullit; 13dhe kubiti nga një anë dhe kubiti nga ana tjetër që janë të tepërt në gjatësinë e pëlhurave të çadrës, do të bien mbi të dy anët e tabernakullit, njëri nga një krah dhe tjetri në krahun tjetër për ta mbuluar atë. 14Do të bësh gjithashtu një mbulesë për çadrën me lëkura dashi të ngjyrosura në të kuq, dhe mbi këtë një tjetër mbulesë me lëkura baldose. 15Do të bësh për tabernakullin disa dërrasa prej druri të akacies, të vendosura më këmbë. 16Gjatësia e një dërrase do të jetë dhjetë kubitë dhe gjerësia e saj një kubitë e gjysëm. 17Çdo dërrasë do të ketë dy kllapa për të bashkuar një dërrasë me tjetrën; kështu do të veprosh për të gjitha dërrasat e tabernakullit. 18Do të bësh kështu dërrasat e tabernakullit, njëzet dërrasa për anën jugore. 19Do të vësh dyzet baza argjendi poshtë njëzet dërrasave: dy baza poshtë secilës dërrasë për të dy kllapat e veta. 20Do të bësh edhe njëzet dërrasa për krahun e dytë të tabernakullit, për anën e tij veriore, 21dhe dyzet bazat e tyre prej argjendi, dy baza nën çdo dërrasë. 22Për krahun e pasmë të tabernakullit, në drejtim të perëndimit, do të bësh gjashtë dërrasa. 23Do të bësh edhe dy dërrasa për të dy qoshet e pasme të tabernakullit. 24Ato do të çiftëzohen poshtë dhe do të bashkohen lart me një unazë. Kështu ka për të ndodhur me të dyja dërrasat, që ndodhen në të dy qoshet. 25Do të ketë, pra, tetë dërrasa me bazat e tyre prej argjendi: gjashtëmbëdhjetë baza, dy baza poshtë çdo dërrase. 26Do të bësh edhe disa traversa prej druri të akacies: pesë për dërrasat e njërës anë të tabernakullit, 27pesë traversa për dërrasat e anës tjetër të tabernakullit dhe pesë traversa për dërrasat e pjesës së pasme të tabernakullit, në drejtim të perëndimit. 28Traversa qëndrore, në mes të dërrasave, do të kalojë nga njëra anë në tjetrën. 29Do t'i veshësh me ar dërrasat dhe do t'i bësh prej ari unazat e tyre nëpër të cilat do të kalojnë traversat, dhe do t'i veshësh me ar traversat. 30Do ta ngresh tabernakullin me trajtën e përpiktë që t'u tregua në mal. 31Do të bësh një vel me fije në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe me li të hollë dhe të përdredhur, të stolisur me kerubinë të punuar artistikisht, 32dhe do ta varësh në katër shtylla prej akacieje të veshura me ar, me grremçat e tyre të arta të vëna mbi baza argjendi. 33Do ta varësh velin në kapëset; dhe aty, në anën e brendshme të velit, do të futësh arkën e dëshmisë; veli do t'ju shërbejë si ndarës midis vendit të shenjtë dhe vendit shumë të shenjtë. 34Pastaj do ta vësh pajtuesin mbi arkën e dëshmisë në vendin shumë të shenjtë. 35Jashtë velit do të vësh përkundrazi tryezën, ndërsa shandani do të shkojë përballë tryezës në krahun jugor të tabernakullit, dhe do ta vendosësh tryezën në krahun verior. 36Do të bësh gjithashtu për hyrjen e çadrës një perde me fije në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe prej liri të përdredhur, puna e një qëndistari. 37Do të bësh gjithashtu pesë shtylla akacieje për perden dhe do t'i veshësh me ar; grremçat e tyre do të jenë prej ari dhe do të shkrish për to pesë baza prej bronzi".
Copyright information for Alb