Exodus 30

1"Do të bësh edhe një altar për të djegur temjanin; dhe do ta bësh prej druri të akacies. 2Do të jetë një kubit i gjatë dhe një kubit i gjerë; do të jetë katror dhe do të ketë një lartësi dy kubitësh; brirët e tij do të përbëjnë një pjesë të vetme me të. 3Do ta veshësh me ar safi: pjesën e tij të sipërme, anët e tij rreth e qark dhe brirët e tij; do t'i bësh edhe një kurorë ari. 4Do t'i bësh edhe dy unaza ari nën kurorë, në të dy krahët e tij; do t'i vësh në të dy krahët e tij për të kaluar shtizat, të cilat shërbejnë për ta mbartur. 5Shtizat do të bëhen me dru të akacies dhe do t'i veshësh me ar. 6Do ta vendosësh altarin përpara velit që ndodhet përpara arkës së dëshmisë, përballë pajtuesit që ndodhet mbi dëshminë, ku unë do të të takoj. 7Mbi të Aaroni do të djegë temjan të parfumuar; do ta djegë çdo mëngjes, kur rregullon llambat. 8Kur Aaroni ndez llambat në të ngrysur, do të djegë temjanin: një temjan i vazhdueshëm përpara Zotit, për brezat e ardhshëm. 9Nuk do të ofroni mbi të as temjan të huaj, as olokaust, as blatim; dhe mbi të nuk do të derdhni libacione. 10Dhe Aaroni do të bëjë një herë në vit shlyerjen e mëkatit mbi brirët e tij; me gjakun e flisë së shlyerjes së mëkatit do të bëjë mbi të shlyerjen një herë në vit, brez pas brezi. Do të jetë gjë shumë e shenjtë, e shenjtë për Zotin". 11Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë: 12"Kur do të bësh llogarinë e bijve të Izraelit, për regjistrimin e tyre, secili do t'i japë Zotit shpengimin e jetës së tij, kur do të numërohen, me qëllim që të mos goditen nga ndonjë plagë, kur do të bësh regjistrimin e tyre. 13Kjo është ajo që do të japë secili nga ata që paguajnë taksë: gjysmë sikli, simbas siklit të shenjtërores, (sikli është baras me njëzet gere), një gjysmë sikli do të jetë oferta që duhet t'i bëhet Zotit. 14Kushdo që do të përfshihet nga regjistrimi, njëzet vjeç e lart, do t'i japë Zotit këtë ofertë. 15I pasuri nuk do të japë më tepër, as i varfëri më pak se gjysmë sikli, kur do t'i bëhet kjo ofertë Zotit për të shlyer fajet e jetës suaj. 16Do të marrësh, pra, nga djemtë e Izraelit këto të holla të shërbimit dhe do t'i përdorësh për shërbimin e çadrës së mbledhjes: kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një kujtim para Zotit për të bërë shlyerjen për jetën tuaj". 17Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 18"Do të bësh edhe një legen prej bronzi, me bazën e tij prej bronzi, për t'u larë; do ta vendosësh midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh edhe ujë. 19Dhe aty Aaroni dhe bijtë e tij do të lajnë duart dhe këmbët. 20Kur do të hyjnë në çadrën e mbledhjes, do të lahen me ujë, që të mos vdesin; kështu edhe kur do t'i afrohen altarit për të shërbyer, për të tymosur një ofertë të bërë Zotit me anë të zjarrit. 21Do të lajnë duart dhe këmbët e tyre, që të mos vdesin. Ky do të jetë një rregull i përjetshëm, për atë dhe për pasardhësit e tij, brez pas brezi". 22Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 23"Gjej edhe aromat më të mira: pesëqind sikla mirrë të lëngët, dyqind e pesëdhjetë, domethënë gjysma, cinamon aromatik dhe dyqind e pesëdhjetë kanellë aromatike, 24pesëqind sikla, në bazë të siklit të shenjtërores, kasie dhe një hin vaj ulliri. 25Me këto të përgatitësh një vaj për vajosjen e shenjtë, një parfum të prodhuar me artin e parfumierit: ky do të jetë vaji i vajosjes së shenjtë. 26Me të do të vajosësh çadrën e mbledhjes dhe arkën e dëshmisë, 27tryezën dhe të gjitha veglat e tij, shandanin dhe të gjitha përdorëset e tij, altarin e temjanit, 28altarin e olokausteve dhe të gjitha përdorëset e tij, legenin dhe bazën e tij. 29Do të shenjtërosh kështu këto gjëra dhe do të jenë shumë të shenjta; të gjitha sendet që u përkasin, do të jenë të shenjta. 30Do të vajosësh edhe Aaronin dhe bijtë e tij dhe do t'i shenjtërosh, me qëllim që të më shërbejnë si priftërinj. 31Pastaj do t'u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: "Ky do të jetë për mua një vaj për vajosjen e shenjtë, brez pas brezi. 32Nuk do ta derdhni mbi mish njeriu dhe nuk do të përgatisni tjetër po ashtu; ai është i shenjtë, do të jetë i shenjtë edhe për ju. 33Kushdo që përgatit të ngjashëm, apo kushdo që e vë mbi një të huaj, do të shfaroset nga populli i tij"". 34Zoti i tha akoma Moisiut: "Gjej disa aroma, storaks, guaska erëmira, galban, aroma me temjan të kulluar, në doza të barabarta; 35do të përgatitësh me to një parfum simbas artit të parfumierit, një parfum të kripur, të pastër dhe të shenjtë; 36do ta kthesh një pjesë të tij në pluhur shumë të hollë dhe do të vendosësh pak nga ai përpara dëshmisë në çadrën e mbledhjes, ku unë do të të takoj: ai do të jetë për ju një gjë shumë e shenjtë. 37Por nga temjani që ke për të bërë, nuk do të përgatisni për veten tuaj me të njëjtën përbërje; kjo do të jetë për ty një gjë e shenjtë kushtuar Zotit. 38Kushdo që do të përgatisë një temjan të këtij lloji, do të shfaroset nga populli i tij".
Copyright information for Alb