Ezekiel 8

1Në vitin e shtatë, në muajin e gjashtë, më pesë të muajit, ndodhi që, ndërsa isha ulur në shtëpinë time dhe pleqtë e Judës ishin ulur përballë meje, dora e Zotit, Zotit, ra në atë vend mbi mua. 2Unë shikova, dhe ja, një figurë njeriu me pamje zjarri; nga sa i përngjanin ijët e tij nga poshtë dukeshin prej zjarri, dhe nga sa i përngjanin ijët e tij lart dukeshin të shkëlqyera si ngjyra e bronzit inkandeshent. 3Ai shtriu një formë dore dhe më kapi nga një tufë e flokëve të mi, dhe Fryma më ngriti midis tokës dhe qiellit dhe më çoi në vegime të Perëndisë në Jeruzalem, në hyrje të portës së brendëshme që shikon nga veriu, ku ndodhej idhulli i xhelozisë, që shkakton xhelozinë. 4Dhe ja, atje ndodhej lavdia e Perëndisë të Izraelit, e ngjashme me vegimin që kisha parë në fushë. 5Pastaj ai më tha: "Bir njeriu, ço tani sytë e tu në drejtim të veriut". Kështu i ngrita sytë drejt veriut dhe ja, në veri të portës së altarit, pikërisht në hyrje, ishte idhulli i xhelozisë. 6Dhe ai më tha: "Bir njeriu, shikon atë që bëjnë këta, veprimet e rënda të neveritshme që kryen këtu shtëpia e Izraelit dhe që më bëjnë të largohem nga shenjtërorja ime? Por ti do të shikosh veprime edhe më të rënda të neveritshme". 7Kështu ai më çoi në hyrjen e oborrit. Unë shikova dhe ja, një vrimë në mur. 8Atëherë ai më tha: "Bir njeriu, bëj një vrimë në mur". Kështu bëra një vrimë në mur, dhe ja, një hapje. 9Ai më tha: "Hyr dhe shiko gjërat e neveritshme që këta po kryejnë këtu". 10Kështu hyra për të parë, dhe ja, lloj lloj rrëshqanorë dhe kafshë të neveritshme si dhe tërë idhujt e shtëpisë së Izraelit të riprodhuara rreth e rrotull mbi mur. 11Dhe para tyre rrinin shtatëdhjetë burra nga pleqtë e shtëpisë së Izraelit, dhe në mes tyre ishte Jaazaniahu, biri i Shafanit, secili me temjanicën e vet prej së cilës dilte një re e dendur temjani. 12Pastaj më tha: "Bir njeriu, a ke parë atë që bëjnë pleqtë e shtëpisë së Izraelit në errësirë, secili në dhomën e figurave të tij? Në fakt thonë: "Zoti nuk na shikon, Zoti e ka braktisur vendin"". 13Pastaj më tha: "Ti do të shikosh gjëra edhe më të neveritshme që ata po kryejnë". 14Atëherë më çoi në hyrjen e portës së shtëpisë të Zotit, që është nga veriu; dhe ja, atje ishin ulur gra që qanin Tamuzin. 15Pastaj më tha: "A e pe, bir njeriu? Ti do të shikosh gjëra edhe më të neveritshme nga këto". 16Atëherë më çoi në oborrin e brendshëm të shtëpisë të Zotit; dhe ja, në hyrje të tempullit të Zotit, midis portikut dhe altarit, ishin rreth njëzetepesë burra, me kurriz të kthyer nga tempulli i Zotit dhe fytyrë të kthyer nga lindja, që adhuronin diellin nga lindja. 17Pastaj më tha: "A e pe, bir njeriu? A është vallë një gjë e vogël për shtëpinë e Judës të kryejë gjërat e neveritshme që ajo bën këtu? Në fakt ata e kanë mbushur vendin me dhunë dhe kanë provokuar disa herë zemërimin tim. Dhe ja, e çojnë degën te hunda. 18Prandaj edhe unë do të veproj me tërbim; syri im nuk do të ketë asnjë dhembshuri dhe nuk do të kem mëshirë fare. Edhe sikur të çojnë britma të larta veshëve të mi, unë nuk do t'i dëgjoj".
Copyright information for Alb