Genesis 17

1Kur Abrami u bë nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti i doli përpara dhe i tha: "Unë jam Perëndia i plotfuqishëm; ec në praninë time dhe qëndro i ndershëm; 2dhe unë do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje dhe do të të shumoj fort". 3Atëherë Abrami përuli fytyrën në tokë dhe Perëndia i foli, duke i thënë: 4"Sa për mua, ja unë po bëj një besëlidhje me ty; ti do të bëhesh babai i një shumice kombesh. 5Dhe nuk do të quhesh më Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse unë të bëj babanë e një shumice kombesh. 6Do të të bëj shumë frytdhënës. Pastaj do të bëj prej teje kombe dhe prej teje kanë për të dalë mbretër. 7Dhe do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje, si dhe me pasardhësit e tu, nga një brez në një brez tjetër; kjo do të jetë një besëlidhje e përjetshme, me të cilën unë do të marr përsipër 8Dhe ty dhe pasardhësve të tu pas teje, do t'u jap vendin ku ti banon si një i huaj: tërë vendin e Kanaanëve, në pronësi për gjithnjë; dhe do jem Perëndia i tyre". 9Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Nga ana jote, ti do ta respektosh besëlidhjen time, ti dhe pasardhësit e tu, nga një brez në tjetrin. 10Kjo është besëlidhja ime që ju do të respektoni midis meje edhe jush, si dhe pasardhësve të tu pas teje: çdo mashkull që ndodhet midis jush do të rrethpritet. 11Dhe do të rrethpriteni në mishin e prepucit tuaj; dhe kjo do të jetë një shenjë e besëlidhjes midis meje dhe jush. 12Në moshën tetë ditësh, çdo mashkull i juaj do të rrethpritet, dhe kjo nga një brez në tjetrin, qoftë ai i lindur në shtëpi, qoftë ai i blerë me para nga çdo i huaj që nuk është një pasardhës i yt. 13Do të rrethpritet si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, ashtu edhe ai që është blerë me para; besëlidhja ime në mishin tuaj do të jetë një besëlidhje e përjetshme. 14Dhe mashkulli i parrethprerë, që nuk është rrethprerë në mishin e prepucit të tij, do të hidhet jashtë popullit të tij, sepse ka shkelur besëlidhjen time". 15Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Përsa i përket Sarajt, gruas sate, mos e quaj më Saraj, por emri i saj do të jetë Sara. 16Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe; mbretër popujsh do të dalin prej saj". 17Atëherë Abrahami u shtri me fytyrën ndaj tokës dhe qeshi; dhe tha në zemër të tij: "A do të lindë vallë një fëmijë nga një njeri njëqindvjeçar? Dhe do të lindë Sara që është nëntëdhjetë vjeç?". 18Pastaj Abrahami i tha Perëndisë: "Vaj medet, që Ismaeli të mund të jetojë para teje!". 19Por Perëndia u përgjegj: "Jo, por Sara gruaja jote do të lindë një bir, dhe ti do ta quash Isak; dhe unë do të caktoj besëlidhjen time me të, një besëlidhje të përjetshme me pasardhësit e tij. 20Sa për Ismaelin, unë ta kam plotësuar dëshirën. Ja unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj fort. Ai do të bëhet babai i dymbëdhjetë princërve, dhe unë do të bëj prej tij një komb të madh. 21Por besëlidhjen time do ta përfundoj me Isakun që Sara do të lindë në këtë kohë, vitin e ardhshëm". 22Kur mbaroi së foluri me të, Perëndia e la Abrahamin duke u ngritur lart. 23Atëherë Abrahami mori Ismaelin, djalin e tij, të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe tërë ata që kishte blerë me paratë e veta, tërë meshkujt e shtëpisë së Abrahamit dhe, po atë ditë, 24Por Abrahami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç kur u rrethpre në mishin e prepucit të tij. 25Dhe Ismaeli, biri i tij, ishte trembëdhjetë vjeç kur u rrethpre në mishin e prepucit të tij. 26Po atë ditë u rrethprenë Abrahami dhe Ismaeli, biri i tij. 27Dhe tërë njerëzit e shtëpisë së tij, qoftë ata të lindur në shtëpi, qoftë ata të blerë me para nga të huajt, u rrethprenë bashkë me të.
Copyright information for Alb