Genesis 35

1Perëndia i tha Jakobit: "Çohu, ngjitu në Bethel dhe vendosu aty; dhe bëj aty një altar Perëndisë që t'u shfaq, kur ikje para vëllait tënd Esau". 2Atëherë Jakobi i tha familjes së tij dhe gjithë atyre që ishin me të: "Hiqni nga rrethi juaj perënditë e huaja, pastrohuni dhe ndërroni rrobat tuaja; 3pastaj të ngrihemi dhe të shkojmë në Bethel, dhe unë do t'i bëj një altar Perëndisë që plotësoi dëshirën time ditën e fatkeqësisë sime dhe që më shoqëroi në udhëtimin që kam bërë". 4Atëherë ata i dhanë Jakobit tërë perënditë e huaja që kishin dhe varëset që mbanin në veshë; dhe Jakobi i fshehu nën lisin që ndodhet pranë Sikemit. 5Pastaj ata u nisën dhe tmerri i Perëndisë ra mbi të gjitha qytetet rreth tyre, kështu që nuk i ndoqën bijtë e Jakobit. 6Kështu Jakobi arriti në Luc, domethënë në Bethel, që ndodhet në vendin e Kanaanit; erdhi aty me të gjithë njerëzit që ishin me të. 7Dhe aty ndërtoi një altar dhe këtë vend e quajti El-Bethel, sepse aty i qe çfaqur Perëndia kur po ikte para vëllait të tij. 8Atëherë vdiq Debora, taja e Rebekës, dhe e varrosën poshtë Bethelit, në këmbët e lisit që u quajt Alon-Bakuth. 9Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit, kur ky po vinte nga Padam-Arami dhe e bekoi. 10Dhe Perëndia i tha: "Emri yt është Jakob; ti nuk do të quhesh më Jakob, por emri yt do të jetë Izrael". Dhe i vuri emrin Izrael. 11Pastaj Perëndia i tha: "Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm; ti bëhu i frytshëm dhe shumëzo; një komb, madje një tërësi kombesh do të rrjedhin prej teje, dhe disa mbretër kanë për të dalë nga ijët e tua; 12dhe do të të jap ty dhe pasardhësve të tu pas teje vendin që i dhashë Abrahamit dhe Isakut". 13Pastaj Perëndia u ngjit më lart nga ai, nga vendi ku i kishte folur. 14Atëherë Jakobi ndërtoi një përmendore, një përmendore prej guri, në vendin ku Perëndia i kishte folur; mbi të hodhi pak verë dhe derdhi ca vaj sipër. 15Dhe Jakobi e quajti Bethel vendin ku Perëndia i kishte folur. 16Pastaj u nisën nga Betheli; kishte edhe një copë rrugë për të arritur në Efratë, kur Rakela lindi. Ajo pati një lindje të vështirë; 17dhe gjatë lindjes së vështirë mamia i tha: "Mos ki frikë, sepse edhe këtë herë ke një djalë". 18Dhe ndërsa shpirti po e linte (sepse vdiq), i vuri emrin Ben-Oni, por i ati e quajti Beniamin. 19Kështu Rakela vdiq dhe u varros në rrugën e Efratës (domethënë të Betlemit). 20Dhe Jakobi ngriti mbi varrin e saj një përmendore. Dhe kjo përmendore ekziston ende sot e kësaj dite mbi varrin e Rakelës. 21Pastaj Izraeli u nis dhe ngriti çadrën përtej Migdal-Ederit. 22Dhe ndodhi që, ndërsa Izraeli banonte në atë vend, Rubeni shkoi e ra në shtrat me Bilbah, konkubinën e atit të tij. Dhe Izraeli e mori vesh. 23Bijtë e Jakobit ishin dymbëdhjetë. Bijtë e Leas ishin: Rubeni, i parëlinduri i Jakobit, Simeoni, Levi, Juda, Isakari dhe Zabuloni. 24Bijtë e Rakelës ishin: Jozefi dhe Beniamini. 25Bijtë e Bilhahut, shërbëtorja e Rakelës, ishin: Dani dhe Neftali. 26Bijtë e Zilpahës, shërbëtorja e Leas, ishin: Gadi dhe Asheri. Këta janë bijtë e Jakobit që i lindën në Padan-Aram. 27Pastaj Jakobi erdhi tek Isaku, i ati, në Marme, në Kirjath-Arba (domethënë në Hebron), ku Abrahami dhe Isaku kishin qëndruar ca kohë. 28Isaku jetoi njëqind e tetëdhjetë vjet. 29Kështu Isaku dha shpirt, vdiq dhe u bashkua me popullin e tij, ishte i plakur dhe i ngopur me ditë; dhe Esau dhe Jakobi, bijtë e tij, e varrosën.
Copyright information for Alb