Isaiah 63

1Kush është ai që vjen nga Edomi, nga Botsrahu, me rrobat e ngjyrosura me bojë të kuqe flakë? Ky, i veshur shkëlqyeshëm, që ecën në madhështinë e forcës së tij? "Jam unë që flas me drejtësi dhe jam i fuqishëm për të shpëtuar". 2Pse veshja jote është e kuqe dhe rrobat e tua si ata që shtrydhin rrushin në gaviç? 3"Gaviçin e shtypa vetëm dhe asnjë nga popujt nuk ishte me mua. I shtypa në zemërimin tim dhe i shkela në tërbimin tim. Gjaku i tyre spërkati rrobat e mia dhe njollosa tërë veshjet e mia. 4Sepse dita e hakmarrjes ishte në zemrën time dhe viti i çlirimit tim ka ardhur. 5Shikova, por nuk kishte asnjeri që të më ndihmonte; shtanga që askush nuk po më ndihmonte. Atëherë vetë krahu im më ka shpëtuar dhe tërbimi im më ka ndihmuar. 6I shkela me këmbë popujt në zemërimin tim, i deha në tërbimin tim dhe bëra që të derdhet gjaku i tyre mbi tokë". 7Unë do të kujtoj mirësitë e Zotit, lavdimet e Zotit për gjithçka që na ka dhënë si dhe mirësinë e madhe që i ka siguruar shtëpisë së Izraelit sipas dhembshurive të tij dhe sipas dashamirësisë së tij të madhe. 8Ai në fakt kishte thënë: "Ata me të vërtetë janë populli im, bij që nuk do të veprojnë në mënyrë të rreme". Kështu ai u bë Shpëtimtari i tyre. 9Në çdo hidhërim të tyre ai u hidhërua, dhe Engjëlli i pranisë së tij i shpëtoi; me dashurinë dhe dhembshurinë e tij i çliroi, i lartoi dhe u solli tërë ditët e së kaluarës. 10Por ata u rebeluan dhe e trishtuan Frymën e tij të shenjtë; prandaj ai u bë armiku i tyre dhe luftoi kundër tyre. 11Atëherë populli i tij kujtoi ditët e lashta të Moisiut. Ku është ai që i nxori nga deti me bariun e kopesë së tij? Ku është ai që vinte në mes tyre Frymën e tij të shenjtë, 12që i drejtonte nëpërmjet të djathtës së Moisiut me krahun e tij të lavdishëm, që i ndau ujërat para tyre për të bërë një emër të përjetshëm, 13që i çoi nëpër humnera, si një kalë në shkretëtirë, që të mos pengoheshin? 14Ashtu si zbret bagëtia në luginë, Fryma e Zotit i bëri të pushojnë. Kështu ti e udhëhoqe popullin tënd për të bërë një emër të lavdishëm. 15Shiko nga qielli dhe shiko nga banesa jote e shenjtë dhe e lavdishme. Ku është zelli yt dhe fuqia jote? Drithërima e të përbrendëshmeve të tua dhe dhembshuritë e tua të thella ndaj meje mos vallë janë shtypur? 16Sepse ti je ati ynë, megjithëse Abrahami nuk na njihte dhe Izraeli nuk e di se ekzistojmë. Ti, o Zot, je ati ynë, Çliruesi ynë, emri yt vazhdon ngaherë. 17O Zot, pse na bën që të endemi larg rrugëve të tua dhe pse fortëson zemrën tonë që të mos ketë frikë nga ti? Për hir të shërbëtorëve të tu, kthehu në fiset e trashëgimisë sate. 18Brenda një kohe të shkurtër populli yt i shenjtë ka shtënë në dorë vendin; armiqtë tanë kanë shkelur shenjtëroren tënde. 19Ne u bëmë si ata mbi të cilët nuk ke qeverisur kurrë, mbi të cilët emri yt nuk ishte thirrur kurrë.
Copyright information for Alb