Job 17

1"Fryma ime u copëtua, ditët po më shuhen, varri po më pret. 2A nuk jam i rrethuar nga njerëz që më përqeshin. Syri im ndalet mbi fyerjet e tyre. 3Më jep, pra, një peng pranë teje, përndryshe kush do të më shtrëngonte dorën si garant? 4Nga që i ke penguar mendjet e tyre të kuptojnë, prandaj nuk do t'i bësh të triumfojnë. 5Kush i tradhton miqtë deri sa t'i grabisë, ka për t'i parë më pak sytë e fëmijëve të tij. 6Por unë prej tij jam bërë gazi i popujve dhe jam katandisur në një njeri të cilin e pështyjnë në fytyrë. 7Syri më erret për shkak të dhembjes dhe tërë gjymtyrët e mia nuk janë veçse hije. 8Njerëzit e drejtë habiten nga kjo, dhe i pafajmi ngrihet kundër të pabesit. 9Megjithatë i drejti mbetet i lidhur fort me rrugën e tij, dhe ai që i ka duart e pastra fortësohet gjithnjë e më tepër. 10Sa për ju të gjithë, kthehuni, ejani, pra, sepse midis jush nuk po gjej asnjë njeri të urtë. 11Ditët e mia shkuan dhe planet e mia u prishën, pikërisht ato dëshira që unë ushqeja në zemër. 12Ata e ndërrojnë natën në ditë, "drita është afër", thonë, për shkak të errësirës. 13Në rast se e pres Sheolin si shtëpinë time në rast se e shtrij shtrojen time në terr, 14në rast se i them vendvarrit: "Ti je ati im", dhe krimbave: "Jeni nëna ime dhe motra ime", 15ku është, pra, shpresa ime? Kush mund të dallojë ndonjë shpresë për mua? 16A do të zbres vallë në portat e Sheolit, kur do të gjejmë bashkë prehje në pluhur?".
Copyright information for Alb