Job 41

1A mund ta nxjerrësh Leviathanin me grep ose të mbash të palëvizur gjuhën e tij me një litar? 2A mund t'i vësh një xunkth në flegrat e hundës ose t'i shposh nofullën me një çengel? 3A do të të lutet ai së tepërmi apo do të të drejtojë fjalë të ëmbla? 4A do të lidhë një besëlidhje me ty, që ti ta marrësh si shërbëtor për gjithnjë? 5A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua? 6Miqtë e tu do të bëjnë me të takime të mrekullueshme apo do ta ndajnë vallë midis tregtarëve? 7A mund të mbulosh lëkurën e tij me shigjeta dhe kokën e tij me fuzhnja? 8Vëri duart mbi trupin e tij; do të të kujtohet luftimi dhe nuk ke për ta rifilluar. 9Ja, shpresa e atij që e sulmon është e rreme; mjafton ta shikosh dhe të zë tmerri. 10Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje? 11Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja. 12Nuk do t'i kaloj në heshtje gjymtyrët e tij, forcën e tij të madhe dhe bukurinë e armaturës së tij. 13Kush mund ta zhveshë nga parzmorja e tij dhe kush mund t'i afrohet me një fre të dyfishtë? 14Kush mund të hapë portat e gojës së tij, e rrethuar siç është nga tmerri i dhëmbëve të tij? 15Shumë të bukura janë rreshtat e mburojave të tij, të salduara fort si prej një vule. 16Ato janë aq afër njëra-tjetrës sa nuk kalon as ajri midis tyre. 17Janë të ngjitura njëra me tjetrën, të bashkuara fort midis tyre, dhe nuk mund të ndahen. 18Teshtimat e tij japin shkreptima drite dhe sytë e tij janë si qepallat e agimit. 19Nga goja e tij dalin flakë, dalin shkëndija zjarri. 20Nga flegrat e hundës së tij del tym, si nga një enë që vlon ose nga një kazan. 21Fryma e tij i vë zjarrin qymyrit dhe nga goja e tij del flakë. 22Forca qëndron te qafa e tij dhe para tij hedh valle tmerri. 23Pjesët e flashkëta të mishit të tij janë fort kompakte, janë mjaft të ngjeshura mbi të dhe nuk lëvizin. 24Zemra e tij është e fortë si një gur, e fortë si pjesa e poshtme e mokrës. 25Kur ngrihet, të fuqishmit kanë frikë, dhe nga tmerri mbeten të hutuar. 26Shpata që arrin nuk i bën asgjë, e njëjta gjë ndodh me ushtën, shigjetën dhe shtizën. 27E quan hekurin si kashtë dhe bronzin si dru të brejtur nga krimbi. 28Shigjeta nuk e bën të ikë; gurët e hobesë për të janë si kallamishte. 29Topuzi i duket sikur është kashtë, ai tallet me vringëllimën e ushtës. 30Poshtë ka maja të mprehta dhe lë gjurmë si të lesës mbi baltë. 31E bën të ziejë humnerën si ndonjë kazan dhe e bën detin si të ishte një enë me melhem. 32Lë pas vetes një vazhdë drite dhe humnera duket si e mbuluar nga thinjat. 33Mbi tokë nuk ka asgjë që t'i ngjajë, që të jetë bërë pa pasur fare frikë. 34Shiko në fytyrë tërë njerëzit mendjemëdhenj; ai është mbret mbi të gjitha bishat më madhështore".
Copyright information for Alb