John 11

1Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj. 2Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndëshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë. 3Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: ''Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë''. 4Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: ''Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë''. 5Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin. 6Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte. 7Pastaj u tha dishepujve: ''Të kthehemi përsëri në Jude''. 8Dishepujt i thanë: ''Mësues, pak më parë Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?''. 9Jezusi u përgjigj: ''Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote, 10por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të''. 11Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: ''Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj''. 12Atëherë dishepujt e tij thanë: ''Zot, po të flejë, do të shpëtojë''. 13Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit. 14Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: ''Llazari ka vdekur. 15Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai''. 16Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: ''Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të''. 17Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr. 18Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit. 19Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t'i ngushëlluar për vëllanë e tyre. 20Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi. 21Marta i tha Jezusit: ''Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur, 22por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t'i japë''. 23Jezusi i tha: ''Yt vëlla do të ringjallet''. 24Marta i tha: ''E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit''. 25Jezusi i tha: ''Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. 26Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?''. 27Ajo i tha: ''Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë'' 28Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: ''Mësuesi është këtu dhe po të thërret''. 29Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai. 30Por Jezusi ende nuk kishte arritur në fshat, por ndodhej në vendin ku Marta e kishte takuar. 31Prandaj Judenjtë që ishin me të në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se Maria u çua me nxitim dhe doli, e ndoqën, duke thënë: ''Ajo po shkon te varri për të qarë aty''. 32Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: ''Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur''. 33Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe Judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u psherëtiu në frymë dhe u trondit, 34dhe tha: ''Ku e keni vënë?''. Ata i thanë: ''Zot, eja e shih!''. 35Jezusi qau. 36Atëherë Judenjtë thanë: ''Shih, sa e donte!''. 37Por disa nga ata thanë: ''Ky, që i hapi sytë të verbërit, s'mund të bënte që ky të mos vdiste?". 38Prandaj Jezusi, përsëri i tronditur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur. 39Jezusi tha: ''Hiqni gurin!''. Marta, motra e të vdekurit, i tha: ''Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh''. 40Jezusi i tha: ''A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?''. 41Atëherë ata e hoqën gurin prej vendit ku ishte shtrirë i vdekuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: ''O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar. 42Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar''. 43Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: ''Llazar, eja jashtë!''. 44Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: ''Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!''. 45Atëherë shumë nga Judenjtë, që kishin ardhur te Maria dhe kishin parë gjithçka kishte bërë Jezusi, besuan në të. 46Por disa nga ata shkuan te farisenjtë dhe u treguan atyre ç'kishte bërë Jezusi. 47Atëherë krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën sinedrin dhe thanë: ''Ç'të bëjmë? Ky njeri po bën shumë shenja. 48Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të, do të vijnë Romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë''. 49Por një nga ata, Kajafa, që ishte kryeprifti i atij viti, u tha atyre: ''Ju nuk kuptoni asgjë; 50dhe as nuk e konceptoni se është e leverdishme për ne që të vdesë vetëm një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi''. 51Por këtë ai nuk e tha nga vetja; por, duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezusi duhej të vdiste për kombin, 52dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t'i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë. 53Që nga ajo ditë, pra, ata vendosën ta vrasin. 54Për këtë arsye Jezusi nuk ecte më haptasi midis Judenjve, por u tërhoq në një krahinë afër shkretëtirës, në një qytet që quhej Efraim dhe aty rrinte me dishepujt e tij. 55Dhe Pashka e Judenjve ishte afër dhe shumë veta nga ajo krahinë u ngjitën në Jeruzalem përpara Pashkës për t'u pastruar. 56E kërkonin, pra, Jezusin dhe, duke qëndruar në tempull, thoshnin në mes tyre: ''Si ju duket juve? A do të vijë ai për festë?''. 57Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ishte ai, të sinjalizonte që ta kapnin.
Copyright information for Alb