John 19

1Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin. 2Dhe ushtarët thurrën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën siper një mantel të purpurt, 3dhe thoshnin: ''Tungjatjeta, o mbret i Judenjve''; dhe i binin me shuplaka. 4Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: ''Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj''. 5Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: ''Ja njeriu!''. 6Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: ''Kryqëzoje, kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj''. 7Judenjtë iu përgjigjën: ''Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë''. 8Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë; 9dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: ''Nga je ti?''. Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje. 10Për këtë arsye Pilati i tha: ''S'po më flet? ti s'e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?''. 11Jezusi u përgjigj: ''Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh''. 12Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por Judenjtë bërtisnin, duke thënë: ''Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit''. 13Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm", e në hebraisht "Gabatha"; 14tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha Judenjve: ''Ja mbreti juaj''. 15Por ata bërtitën: ''Largoje! Largoje! Kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Ta kryqëzoj mbretin tuaj?''. Krerët e priftërinjve u përgjigjën: ''Ne s'kemi mbret tjetër përveç Cezarit!''. 16Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje. 17Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka", që në hebraisht quhet "Golgota", 18ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes. 19Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE". 20Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga Judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht. 21Prandaj krerët e priftërinjve të Judenjve i thanë Pilatit: ''Mos shkruaj: "Mbreti i Judenjve", por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i Judenjve"''. 22Pilati u përgjigj: ''Atë që kam shkruar, e kam shkruar!''. 23Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund. 24Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: ''Nuk e grisim, por hedhim short kujt t'i bjerë''; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: ''I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time''. Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra. 25Por afër kryqit të Jezusit, qendronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë. 26Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ''O grua, ja biri yt!''. 27Pastaj i tha dishepullit: ''Ja nëna jote!''. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet. 28Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: ''Kam etje!''. 29Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një dege hisopi, ia afruan te goja. 30Kur Jezusi e mori uthullën, tha: ''U krye!''. Dhe duke ulur kryet, dha frymën. 31Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, Judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t'u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej. 32Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të; 33por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë. 35Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni. 36Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: ''Nuk do t'i thyhet asnjë eshtër''. 37Dhe akoma një Shkrim tjetër thotë: ''Do të vështrojnë atë që e kanë tejshpuar''. 38Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e Judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit. 39Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash. 40Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndëshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin Judenjtë. 41Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush. 42Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së Judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.
Copyright information for Alb