Luke 22

1Ndërkaq po afrohej festa e të Ndormëve, që quhet Pashkë. 2Dhe krerët e priftërinjve e skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, sepse kishin frikë nga populli. 3Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët. 4Kështu ai shkoi të merret vesh me krerët e priftërinjve e dhe me krerët e rojës për mënyrën se si do ta tradhtonte. 5Ata u gëzuan dhe i premtuan t'i japin para. 6Dhe ai pranoi dhe kërkonte rastin e volitshëm për t'ua dorëzuar pa qenë e pranishme turma. 7Tani erdhi dita e të Ndormëve, kur duhet therur flijimi i Pashkës. 8Dhe Jezusi dërgoi Pjetrin dhe Gjonin duke u thënë: ''Shkoni e na bëni gati Pashkën, që ne ta hamë''. 9Dhe ata e thanë: ''Ku dëshiron ta përgatisim?''. 10Atëherë ai tha atyre: ''Ja, kur të hyni në qytet, do t'ju dalë përpara një njeri që mban një brokë uji; ndiqeni në shtëpinë ku ai do të hyjë. 11I thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi të çon fjalë: Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?". 12Atëherë ai do t'ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet''. 13Ata shkuan, pra, dhe gjetën ashtu siç u tha dhe përgatitën Pashkën. 14Dhe, kur erdhi ora, ai u ul në tryezë dhe bashkëmetë dymbëdhjetë apostujt. 15Atëherë ai u tha atyre: ''Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj, 16sepse po ju them se nuk do të ha më të tillë derisa ajo të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë''. 17Pastaj mori kupën, falenderoi, dhe tha: ''Merrnie këtë dhe ndanie midis jush, 18sepse unë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë derisa të vijë mbretëria e Perëndisë''. 19Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim''. 20Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ''Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju. 21Por ja, dora e atij që më tradhton është me mua mbi tryezë. 22Sigurisht Biri i njeriut shkon, siç është caktuar, por mjerë ai njeri me anë të cilit është tradhëtuar!''. 23Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë. 24Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi. 25Por Jezusi u tha atyre: ''Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës. 26Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben. 27Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s'është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben. 28Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia. 29Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im, 30që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 31Edhe Zoti tha: ''Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t'ju shoshë ashtu siç shoshet gruri. 32Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu''. 33Por ai tha: ''Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje''. 34Por Jezusi tha: ''Pjetër, unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh''. 35Pastaj u tha atyre: ''Kur ju dërgova pa trasta, pa thes dhe pa sandale, vallë a ju mungoi gjë?''. Dhe ata thanë: ''Asgjë''. 36U tha, pra, atyre: ''Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një. 37Sepse unë po ju them se çfarë është shkruar duhet të plotësohet ende në mua: "Dhe ai është radhitur ndër keqbërësit". Sepse ato gjëra që janë shkruar për mua do të kenë kryerjen e tyre''. 38Atëherë ata thanë: ''Zot, ja këtu dy shpata''. Por ai u tha atyre ''Mjaft!''. 39Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin. 40Kur arriti në vend, u tha atyre: ''Lutuni që të mos hyni në tundim''. 41Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunj dhe lutej, 42duke thënë: ''O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti''. 43Atëherë iu shfaq një engjëll nga qie-lli për t'i dhënë forcë. 44Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë. 45Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi, 46dhe u tha atyre: ''Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim''. 47Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur. 48Dhe Jezusi i tha: ''Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?''. 49Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: ''Zot, a t'u biem me shpatë?''. 50Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë. 51Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Lëreni, mjaft kështu''. Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi. 52Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: ''Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari? 53Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës''. 54Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg. 55Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre. 56Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: ''Edhe ky ishte me të''. 57Por ai e mohoi duke thënë: ''O grua, nuk e njoh''. 58Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: ''Edhe ti je nga ata''. Por Pjetri tha: ''O njeri, nuk jam''. 59Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: ''Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas''. 60Por Pjetri tha: ''O njeri, s'di ç'po thua''. Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli. 61Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: ''Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''. 62Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim. 63Ndërkaq njerëzit që e mbanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin. 64Dhe, mbasi ia mbuluan sytë, i binin në fytyrë dhe e pyetnin duke thënë: "Profetizo, kush është ai që të ra?". 65Dhe duke blasfemuar thoshin shumë gjëra të tjera kundër tij. 66Dhe, kur u bë ditë, u mblodhën pleqtë e popullit, kreret e prifterinjve dhe skribët dhe e çuan në sinedrin e tyre, duke thënë: 67''Në se ti je Krishti, na e thuaj''. Por ai u tha atyre: ''Edhe sikur t'jua thoja, nuk do ta besonit. 68Edhe sikur t'ju pyesja, ju nuk do të më përgjigjeshit dhe as nuk do të më linit të shkoja. 69Por tash e tutje Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e fuqisë së Perëndisë''. 70Atëherë të gjithë thanë: ''Je ti, pra, Biri i Perëndisë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Ju thoni se unë jam''. 71Atëherë ata thanë: ''Ç'nevojë kemi akome për dëshmi? Ne vetë e dëgjuam nga goja e tij''.
Copyright information for Alb