Luke 3

1Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës, 2nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kajfa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë. 3Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve, 4ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: ''Ja zëri i njërit që bërtet në shkretirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij! 5Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen 6dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë''. 7Ai, pra, u thoshte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mesuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen? 8Bëni, pra, fryte të denja pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush: "Ne kemi Abrahamin për Atë", sepse unë po ju them se Perëndia mund t'i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë. 9Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr''. 10Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: ''Dhe ne, pra, ç'të bëjmë?''. 11Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: ''Ai që ka dy tunika le t'i ndajë me atë që s'ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu''. 12Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: ''Mësues, ç'duhet të bëjmë?''. 13Dhe ai u tha atyre: ''Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar''. 14Edhe ushtarët e pyetën duke thënë: ''Dhe ne, ç'duhet të bëjmë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Mos i bëni shantazh asnjeriu, mos i bëni akuza të rreme kurrkujt dhe jini të kënaqur me pagën tuaj!''. 15Dhe populli ishte në pritje dhe të gjithë pyesnin në zemrat e veta nëse Gjoni ishte Krishti vetë. 16Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: ''Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë nga unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh lidhëset e sandaleve; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr. 17Ai mban në dorë lopatën e vet, për ta pastruar krejt lëmin e vet dhe për të mbledhur grurin në hambarin e tij, por bykun do ta djegë me zjarr që nuk shuhet''. 18Kështu ai e ungjillizonte popullin duke e këshilluar me shumë mënyra të tjera. 19Por Herodi, tetraku, mbasi u qortua prej tij për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të tij Filipit, dhe për të gjitha mbrapshtitë që ai kishte kryer, 20U shtoi të gjitha të tjerave edhe këtë, domethënë e futi Gjonin në burg. 21Tani, si u pagëzua gjithë populli, edhe Jezusi u pagëzua; dhe ndërsa po lutej, qielli u hap 22dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të, në trajtën trupore si të pëllumbit, dhe nga qielli erdhi një zë, që thoshte: ''Ti je Biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur!''. 23Dhe Jezusi ishte rreth tridhjetë vjeç; dhe e pandehnin se ishte bir i Jozefit, bir i Elit; 24bir i Mathatit, bir i Levit, bir i Melkit, bir i Janas, bir i Jozefit; 25bir i Matathias, bir i Amosit, bir i Naumit, bir i Eslit, bir i Nagait; 26bir i Maathit, bir i Matathias, bir i Semeit, bir i Jozefit, bir i Judës; 27bir i Joannas, bir i Resas, bir i Zorobabelit, bir i Salatielit, bir i Nerit; 28bir i Melkit, bir i Adit, bir i Kosamit, bir i Elmodamit, bir i Erit; 29bir i Joseut, bir i Eliezerit, bir i Iorimit, bir i Mathatit, bir i Levit; 30bir i Simeonit, bir i Judës, bir i Jozefit, bir i Jonanit, bir i Eliakimit; 31bir i Meleas, bir i Menas, bir i Matathas, bir i Natanit, bir i Davidit; 32bir i Jeseut, bir i Obedit, bir i Boozit, bir i Salmonit, bir i Naasonit; 33bir i Aminadabit, bir i Aramit, bir i Esromit, bir i Faresit, bir i Judës; 34bir i Jakobit, bir i Isakut, bir i Abrahamit, bir i Tares, bir i Nakorit; 35bir i Serukut, bir i Ragaut, bir i Pelekut, bir i Eberit, bir i Selës; 36bir i Kainanit, bir i Arfaksadit, bir i Semit, bir i Noeut, bir i Lamekut; 37bir i Mathusalës, bir i Enokut, bir i Jaredit, bir i Mahalaleelit, bir i Kainanit; 38bir i Enosit, bir i Setit, bir i Adamit, i Perëndisë.
Copyright information for Alb