Luke 6

1Ndodhi që një të shtunë, pas së shtunës së madhe, ai po ecte nëpër arat me grurë, dhe dishepujt e vet këputnin kallinj, i shkoqnin me dorë dhe i hanin. 2Dhe disa nga farisenjtë u thanë atyre: ''Përse bëni atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?''. 3Por Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi dhe ata që ishin bashkë me të kur i mori uria? 4Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, ai mori bukët e paraqitjes, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin bashkë me të, ndonëse nuk ishte e lejueshme për asnjërin t'i hante, përveç priftërinjve?''. 5Pastaj u tha atyre: ''Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës". 6Një të shtunë tjetër ndodhi që ai hyri në sinagogë dhe po mësonte; atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë. 7Dhe farisenjtë dhe skribët rrinin dhe e ruanin nëse ai do ta shëronte të shtunën, që pastaj ta paditnin. 8Por ai ua njihte mendimet e tyre dhe i tha njeriut me dorë të tharë: ''Çohu dhe dil këtu në mes''. Dhe ai u ngrit në këmbë. 9Pastaj Jezusi u tha atyre: ''Unë po ju pyes: A është e lejueshme, të shtunave, të bësh mirë apo keq, të shpëtosh një njeri apo ta vrasësh?''. 10Dhe si i vështroi të gjithë rreth e rrotull, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai veproi kështu dhe dora e tij iu shëndosh si tjetra. 11Ata u tërbuan dhe diskutonin me njëri-tjetrin se ç'mund t'i bënin Jezusit. 12Në ato ditë ndodhi që ai shkoi në mal për t'u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë. 13Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj: 14Simonin, të cilit i vuri emrin Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin dhe Bartolomeun, 15Mateun dhe Thomain, Jakobin e Alfeut dhe Simonin, që e quanin Zelota, 16Judën, vëllanë e Jakobit dhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar. 17Pastaj, pasi zbriti bashkë me ta, ndaloi në një vend të sheshtë, me turmën e dishepujve të vet dhe me një numër të madh njerëzish nga gjithë Judea, nga Jeruzalemi dhe nga bregdeti i Tiros dhe i Sidonit, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar atë dhe për t'u shëruar nga sëmundjet e veta; 18Por edhe ata që i mundonin frymërat e ndyrë shëroheshin. 19E gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse prej tij dilte një fuqi që i shëronte të gjithë. 20Ai, si i drejtoi sytë nga dishepujt e vet, thoshte: ''Lum ju, të varfër, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë''. 21Lum ju, që tani keni uri, sepse do të ngopeni. Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni. 22Lum ju, kur njerëzit do t'ju urrejnë, do t'ju mallkojnë dhe do t'ju fyejnë, do ta shpallin emrin tuaj si të keq, për shkak të Birit të njeriut. 23Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; në të njëjtën mënyrë, pra, etërit e tyre i trajtonin profetët. 24Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj! 25Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani! 26Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë. 27Por unë po ju them juve që më dëgjoni: ''T'i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë. 28Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. 29Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën. 30Jepi kujtdo që kërkon prej teje; dhe në se dikush merr gjënë tënde, mos kërko të ta kthejë. 31Por, ashtu siç dëshironi që t'ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta. 32Por po t'i doni ata që ju duan, ç'meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan. 33Dhe në se u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë, çfarë merite do të keni nga kjo? Të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët. 34Dhe nëse u jepni hua atyre që shpresoni t'jua kthejnë, çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t'u kthehet aq sa dhanë. 35Por ju t'i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mos-mirënjohësit dhe të mbrapshtët. 36Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm. 37Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur. 38Jepni dhe do t'ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t'ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t'ju matet edhe juve gjithashtu''. 39Pastaj ai u tha një shëmbëlltyrë: ''Një i verbër a mund t'i prijë një të verbri tjetër? Vallë nuk do të bien të dy në gropë? 40Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet. 41Po pse ti e shikon lëmishtën në sy të vëllait tënd dhe nuk e sheh traun në syrin tënd? 42Ose, si mund t'i thuash vëllait tënd: "Vëlla, më lër të të heq lëmishtën që ke në syrin tënd", kur ti vetë nuk e sheh traun në syrin tënd? O hipokrit, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të mund të shohësh mirë për të nxjerrë lëmishtën nga syri i vëllait tënd. 43Sepse nuk ka pemë të mirë që të japë fryt të keq, as pemë të keqe që të japë fryt të mirë. 44Çdo pemë, pra, njihet nga fryti i vet, sepse nuk mblidhen fiq nga gjembat dhe nuk vilet rrush nga ferra. 45Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë e nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës. 46Përse më thirrni, "Zot, Zot" dhe nuk bëni atë që ju them? 47Çdo njëri që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia dhe t'i vë në praktikë, unë do t'ju tregoj kujt i ngjan. 48Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s'e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb. 49Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh''.
Copyright information for Alb