Luke 15

1Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar. 2Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: ''Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta''. 3Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë: 4''Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t'i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë? 5Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz; 6dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur. 7Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen. 8Ose, cila grua që ka dhjetë dhrahmi dhe humbet një nga ato, nuk ndez llambën, nuk e fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9Dhe, kur e gjen, fton tok shoqet dhe fqinjët, duke thënë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta dhrahminë që kisha humbur". 10Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet''. 11Tha akoma: ''Një njeri kishte dy bij. 12Më i riu i tyre i tha babait: "Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon". Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë. 13Mbas pak ditësh biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi në një vend të largët dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur. 14Por, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë në hall. 15Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruajë derrat. 16Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. 17Atëherë erdhi në vete dhe tha: "Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria! 18Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t'i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje; 19nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu". 20U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi. 21Dhe i biri i tha: "O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt". 22Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: "Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë. 23Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi, 24sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri". Dhe filluan të bënin një festë të madhe. 25Djali i tij i madh ishte në ara; dhe kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. 26Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç'ishte e gjitha kjo. 27Dhe ai i tha: "U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë". 28Kur i dëgjoj këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte. 29Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: "Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s'kam shkelur asnjë nga urdhërat e tu, e megjithëatë kurrë s'më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi. 30Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur". 31Atëherë i ati i tha: "O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja. 32Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri"''.
Copyright information for Alb