Matthew 15

Atëherë skribët dhe farisenjtë e Jeruzalemit erdhën te Jezusi dhe i thanë: ''Përse dishepujt e tu shkelin traditën e pleqve? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë''. Por ai u përgjigj dhe u tha atyre: ''Dhe ju përse shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj? Perëndia, në fakt, ka urdhëruar kështu: "Ndero atin dhe nënën"; dhe: "Ai që e mallkon të atin ose të ëmën të dënohet me vdekje". Kurse ju thoni: "Kushdo që i thotë atit ose nënës: "Gjithçka me të cilën mund të të mbaja i është ofruar Perëndisë", ai nuk është më i detyruar të nderojë atin e vet dhe nënën e vet. Kështu ju keni prapësuar urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj. Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha: "Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje. Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit"''. 10 Pastaj e thirri turmën pranë tij dhe u tha atyre: ''Dëgjoni dhe kuptoni: 11 Njeriun nuk e ndot çfarë i hyn në gojë, por ajo që del nga goja e tij e ndot njeriun''. 12 Atëherë dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''A e di se farisenjtë, kur i dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?''. 13 Por ai duke u përgjigjur u tha: ''Çdo bimë që Ati im qiellor nuk e ka mbjellë, do të shkulet me rrënjë. 14 Hiqni dorë prej tyre; ata janë të verbër, prijës të verbërish; dhe në qoftë se një i verbër i prin një të verbëri tjetër, të dy do të bien në gropë''. 15 Atëherë Pjetri iu përgjigj dhe i tha: ''Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë''. 16 Dhe Jezusi tha: ''As juve s'keni kuptuar akoma? 17 A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë kalon në bark dhe jashtëqitet në gjiriz? 18 Por gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun. 19 Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë. 20 Këto janë gjërat që e ndotin njeriun, kurse të hash pa i larë duart nuk e ndot njeriun''. 21 Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit. 22 Dhe ja, një grua kananease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: ''Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!''. 23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: ''Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh''. 24 Por ai u përgjigj dhe tha: ''Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit''. 25 Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, ndihmomë!''. 26 Ai u përgjigj, duke thënë: ''Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t'ua hedhësh këlyshëve të qenve''. 27 Por ajo tha: ''Éshtë e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre''. 28 Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: ''O grua, i madh është besimi yt! T'u bëftë ashtu si dëshiron''. Dhe që në atë çast e bija u shërua. 29 Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje. 30 Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi. 31 Turmat mrrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbërit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit. 32 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha: ''Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t'i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës''. 33 Dhe dishepujt e tij i thanë: ''Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?''. 34 Dhe Jezusi u tha atyre: ''Sa bukë keni?''. Ata thanë: ''Shtatë dhe pak peshq të vegjël''. 35 Atëherë ai u dha urdhër turmave që të uleshin për tokë. 36 Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës. 37 Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot. 38 Dhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët. 39 Pastaj, mbasi e lejoi turmën, hipi në barkë dhe u drejtua për në krahinën e Magdalas.
Copyright information for Alb