Proverbs 24

1Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta, 2sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen. 3Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi. 4Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme. 5Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij. 6Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja. 7Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit. 8Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash. 9Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit. 10Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët. 11Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore. 12Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim", ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t'i japë secilit simbas veprave të tij. 13Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde. 14Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet. 15O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon, 16sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi. 17Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet, 18me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet. 19Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët, 20sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket. 21Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë; 22mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh? 23Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim. 24Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë", do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin. 25Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira. 26Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët. 27Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde. 28Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua. 29Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t'ia bëj edhe unë; do t'ia kthej simbas sjelljes së tij". 30Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s'ka mend; 31dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur. 32Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim: 33të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar; 34kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.
Copyright information for Alb