Proverbs 31

1Fjalë të mbretit Lemuel, mesazhi profetik me të cilin e mësoi e ëma. 2Çfarë të të them, biri im? Çfarë të të them, biri i barkut tim? Çfarë të të them, bir i zotimeve të mia? 3Mos ua jep forcën tënde grave as jetën tënde asaj që shkatërron mbretërit. 4Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse, 5sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve. 6Jepini pije dehëse atij që është duke vdekur dhe verë atij që e ka zemrën të hidhëruar. 7Le të pijë për të harruar varfërinë e tij dhe për të mos kujtuar më hallet e tij. 8Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore. 9Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit. 10Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve. 11Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime. 12Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj. 13Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta. 14Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg. 15Çohet që me natë për t'i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t'u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj. 16Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht. 17Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj. 18E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet. 19Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin. 20I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit. 21Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë. 22Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta. 23Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit. 24Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët. 25Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë. 26Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë. 27Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë. 28Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë: 29"Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato". 30Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet. 31I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.
Copyright information for Alb