Psalms 106

1Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 2Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij? 3Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë. 4Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd, 5me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde. 6Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija. 7Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq. 8Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. 9I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë. 10I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut. 11Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre. 12Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij. 13Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij. 14U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi. 15Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre. 16Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit, 17toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit. 18Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët. 19Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë, 20dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar. 21Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt, 22mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq. 23Prandaj ai foli t'i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t'i shkatërronte. 24Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij, 25por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit. 26Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t'i rrëzonte në shkretëtirë, 27dhe se do t'i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t'i shpërndante në të gjitha vendet. 28Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve. 29E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja. 30Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi. 31Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë. 32Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre, 33sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij. 34Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti; 35por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre; 36u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta; 37ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre, 38dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur. 39Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre. 40Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij. 41I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin. 42Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre. 43Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre. 44Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre, 45dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua. 46Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri. 47Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar. 48I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.
Copyright information for Alb