Psalms 115

1Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde. 2Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?". 3Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë. 4Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut. 5kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin, 6kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin, 7kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë. 8Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre. 9O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre. 10O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre. 11O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre. 12Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit. 13Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj. 14Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj. 15Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën. 16Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve. 17Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes. 18Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.
Copyright information for Alb