Psalms 73

1Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra. 2Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin. 3Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij. 4Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë. 5Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë. 6Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe. 7Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë. 8Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë. 9E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën. 10Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre, 11dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?". 12Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre. 13Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time. 14Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes. 15Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu", ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu. 16Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m'u duk shumë e vështirë. 17Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre. 18Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim. 19Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri! 20Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë. 21Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda, 22unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë. 23Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë. 24Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi. 25Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje. 26Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi. 27Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje. 28Por sa për mua, e mira është t'i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.
Copyright information for Alb