Revelation of John 19

Dhe pas këtyre dëgjova në qiell zërin e madh të një turme të shumtë, duke thënë: ''Aleluja! Shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i përkasin Zotit, Perëndisë sonë, sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij! Ai në fakt gjykoi laviren e madhe, që e prishi dheun me kurvërinë e saj, dhe mori hak për gjakun e shërbëtorëve të vet të derdhur prej dorës së saj''. Dhe thanë për të dytën herë: ''Aleluja! Dhe tymi i saj ngjitet në shekuj të shekujve''. Dhe ranë përmbys të njëzet e katër pleqtë, dhe të katër qeniet e gjalla, dhe adhuruan Perëndinë, që ulej mbi fron, duke thënë: ''Amen, Aleluja!''. Dhe nga froni erdhi një zë, duke thënë: ''Lëvdoni Perëndinë tonë, gjithë ju shërbëtorë të tij dhe ju që e druani, dhe të vegjlit dhe të mëdhenjtë''. Dhe dëgjova një si zë i një turme të madhe, dhe si zë shumë ujërash dhe si zë bubullimash të forta, që thoshte: ''Aleluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi!. Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t'i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur! Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve''. Dhe më tha: ''Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit''. Dhe më tha: ''Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë''. 10 Edhe rashë përpara këmbëve të tij për ta adhuruar, por ai më tha: ''Ruaju se e bën, unë jam bashkëshërbëtori yt si dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jezusit. Perëndinë adhuroje! Sepse dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë''. 11 Dhe pashë qiellin e hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe ai që e kalëronte quhet Besniku dhe i Vërteti; dhe ai gjykon dhe lufton me drejtësi. 12 Dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri dhe mbi kryet e tij ishin shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, që askush nuk e di përveç atij; 13 Dhe ishte i veshur me një rrobe të ngjyer në gjak; dhe emri i tij quhet: "Fjala e Perëndisë". 14 Dhe ushtritë që janë në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë, të veshur me rroba liri të hollë, të bardhë dhe të pastër. 15 Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vet do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm. 16 Dhe mbi rroben e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETÉRVE dhe ZOTI I ZOTÉRVE. 17 Dhe pashë një engjëll që qëndronte në këmbë në diell; dhe bërtiti me zë të madh duke u thënë gjithë shpendëve që fluturojnë në mes të qiellit: ''Ejani, mblidhuni në gostinë e madhe të Perëndisë, 18 që të hani mish mbretërish, dhe mish kapitenësh, dhe mish njerëzish të fuqishëm, dhe mish kuajsh dhe kalorësish, dhe mishin e të gjithë njerëzve, të të lirëve dhe të skllevërve, dhe të të vegjëlve dhe të të mëdhenjve''. 19 Dhe pashë bishën, dhe mbretërit e dheut, dhe ushtritë e tyre të mbledhura që të bënin luftë kundër atij që kalëronte kalin dhe kundër ushtrisë së tij. 20 Dhe bisha u kap, dhe bashkë me të profeti i rremë që kishte bërë shenja përpara saj, me të cilat i mashtroi ata që morën damkën e bishës, dhe ata që adhuruan figurën e saj; që të dy i hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur; 21 dhe të tjerët u vranë me shpatë, që dilte nga goja e atij që kalëronte kalin, dhe të gjitha shpendët u ngopën me mishrat e tyre.
Copyright information for Alb