Romans 14

1Pranojeni atë që është i dobët në besim, pa e qortuar për mendimet. 2Dikush mendon se mund të hajë nga çdo gjë, ndërsa ai që është i dobët ha vetëm barishte. 3Ai që ha të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar. 4Kush je ti që gjykon shërbyesin e tjetrit? A qëndron mbi këmbë ose rrëzohet, është punë e zotit të tij, por ai do të qëndrojë, sepse Perëndia është i zoti ta bëjë atë të qëndrojë në këmbë. 5Sepse dikush e çmon një ditë më shumë se një tjetër, dhe tjetri i çmon të gjitha ditët njëlloj; gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij. 6Ai që e çmon ditën, për Zotin e çmon; ai që nuk e çmon ditën, për Zotin nuk e ruan; kush ha, për Zotin ha dhe i falet nderit Perëndisë; dhe kush nuk ha, për Zotin nuk ha dhe i falet nderit Perëndisë. 7Sepse asnjë nga ne nuk jeton për veten e tij dhe askush nuk vdes për veten e tij, 8sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi. 9Sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët. 10Por ti, pse e gjykon vëllanë tënd? Ose përse e përbuz vëllanë tënd? Të gjithë, pra, do të dalim përpara gjykatës së Krishtit. 11Sepse është shkruar: ''Rroj unë, thotë Perëndia, se çdo gjë do të ulet para meje, dhe çdo gjuhë do ta lavdërojë Perëndinë!''. 12Kështu, pra, secili nga ne do t'i japë llogari Perëndisë për veten e vet. 13Prandaj të mos e gjykojmë më njeri tjetrin, por më tepër gjykoni këtë: mos i vini gur pengese ose skandal vëllait. 14Unë e di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus, se asnjë gjë nuk është e ndyrë në vetvete, por për atë që çmon se diçka është e ndyrë, për atë është e ndyrë. 15Por nëse vëllai yt trishtohet për shkak të një ushqimi, ti nuk ecën më sipas dashurisë; mos e bëj atë të humbasë me ushqimin tënd atë për të cilin Krishti vdiq. 16Prandaj le të mos shahet e mira juaj, 17sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë. 18Sepse ai që i shërben Krishtit në këto gjëra, është i pëlqyer nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit. 19Le të ndjekim, pra, ato që ndihmojnë për paqe dhe për ndërtimin e njëri-tjetrit. 20Mos e prish veprën e Perëndisë për ushqimin; vërtet, të gjitha gjëra janë të pastra, por bën keq kur dikush ha diçka që i është pengesë. 21Éshtë mirë të mos hajë mish njeriu, as të mos pijë verë, as të mos bëjë gjë që mund ta çojë vëllanë tënd të pengohet, ose të skandalizohet ose të dobëson. 22A ke besim ti? Mbaje besimin për veten tënde përpara Perëndisë; lum ai që nuk dënon veten e tij në atë që miraton. 23Por ai që është me dy mendje, edhe sikur të hajë, është dënuar, sepse nuk ha me besim; dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim, është mëkat.
Copyright information for Alb