Romans 4

1Çfarë do të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka përfituar sipas mishit? 2Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, ai ka përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka asgjë për t'u lëvduar. 3Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? ''Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi''. 4Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; 5ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi. 6Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë: 7''Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar. 8Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t'ia numërojë mëkatin''. 9Por kjo lumturi a vlen vetëm për të rrethprerët, apo edhe për të parrethprerët? Sepse ne themi se besimi iu numërua Abrahamit si drejtësi. 10Në ç'mënyrë, pra, iu numërua? Kur ai ishte i rrethprerë apo i parrethprerë? Jo ndërsa ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë. 11Pastaj mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë për besimin që kishte patur kur ishte akoma i parrethprerë, me qëllim që të ishte ati i gjithë atyre që besojnë edhe se janë të parrethprerë, me qëllim që edhe atyre t'u numërohet drejtësia, 12dhe të ishte atë i të rrethprerëve të vërtetë, pra i atyre që jo vetëm janë të rrethprerë, por që ndjekin edhe gjurmët e besimit të atit tonë Abrahamit, që ai pati ndërsa ishte i parrethprerë. 13Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit. 14Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet, 15sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje. 16Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili 17(siç është shkruar: ''Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve''), është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin. 18Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t'u bërë ati i shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: ''Kështu do të jetë pasardhja jotë''. 19Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkut të vdekur të Sarës. 20Madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, 21plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte. 22Prandaj edhe kjo iu numërua atij për drejtësi. 23E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar, 24por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë, 25i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë.
Copyright information for Alb