Song of Solomon 6

Ku shkoi i dashuri yt, o më e bukura midis grave? Ku shkoi i dashuri yt, që të mund ta kërkojmë bashkë me ty? I dashuri im zbriti në kopshtin e tij, në lehet e balsamit për të kullotur kopenë në kopshtet dhe për të mbledhur zambakë. Unë jam e të dashurit tim dhe i dashuri im është imi; ai e kullot kopenë midis zambakëve. Mikja ime, ti je e bukur si Tirtsahu, i hijshëm si Jeruzalemi, e tmerrshme si një ushtri me flamuj të shpalosur. Largo nga unë sytë e tu, sepse më turbullojnë. Flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin mbi malin e Galaadit. Dhëmbët e tua janë si një kope dhensh, që kthehen nga vendi ku lahen; të gjitha kanë binjakë dhe asnjëra prej tyre nuk është shterpe. Tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një rriskë shege. Aty ka gjashtëdhjetë mbretëresha dhe tetëdhjetë konkubina, si dhe vajza pa numërim. Por pëllumbesha ime, e përkryera ime, është e vetme; nëna e ka të vetme, e përzgjedhura e saj që e ka pjellë. Vajzat e kanë parë dhe e kanë shpallur të lume, po, edhe mbretëreshat dhe konkubinat, e kanë lavdëruar. 10 Kush është ajo që shfaqet si agimi, e bukur si hëna, e pastër si dielli, e tmerrshme si një ushtri me flamuj të shpalosur? 11 Unë zbrita në kopshtin e arrave për të parë bimët e blerta të luginës, për të parë në se hardhitë ishin në lulëzim dhe shegët kishin bulëzuar. 12 Nuk e di si, por dëshira ime më vuri mbi qerret e popullit tim fisnik. 13 Kthehu, kthehu, o Shulamite, kthehu, kthehu, që të mund të të admirojmë. Çfarë shikoni te Shulamitja? Si një valle me dy grupe?
Copyright information for Alb