‏ 1 Kings 18

1Shumë kohë më vonë, gjatë vitit të tretë, fjala e Zotit iu drejtua Elias, duke i thënë: "Shko dhe paraqitu te Ashabi dhe unë do të dërgoj shiun mbi vendin". 2Elia shkoi të paraqitet te Ashabi. Atëherë në Samari kishte pllakosur një zi e madhe e bukës. 3Ashabi dërgoi të thërrasë Abdian, që ishte mexhordomi i tij. (Abdia kishte frikë të madhe nga Zoti; 4kështu, kur Jezebeli shfaroste profetët e Zotit, Abdia mori njëqind profetë dhe fshehu pesëdhjetë prej tyre në një shpellë, duke i furnizuar me bukë dhe ujë). 5Ashabi i tha Abdias: "Shko nëpër vendin në drejtim të të gjitha burimeve dhe rrjedhave ujore; ndofta do të gjejmë bar të mjaftueshëm për të mbajtur gjallë kuajt dhe mushkat dhe nuk do të detyrohemi të vrasim asnjë nga kafshët tona". 6Kështu e ndanë vendin që do të përshkohej; Ashabi shkoi vetëm nga një anë dhe Abdia vetëm nga ana tjetër. 7Ndërsa Abdia po udhëtonte, ja ku doli përpara Elia; Abdiu e njohu dhe u shtri me fytyrë për tokë përpara tij, duke thënë: "Ti je zotëria im Elia?". 8Ai u përgjigj: "Jam unë; shko e i thuaj zotërisë sate: Elia është këtu". 9Por Abdia u përgjigj: Çfarë mëkati kam kryer që ti dorëzon shërbëtorin tënd në duart e Ashabit që ai të shkaktojë vdekjen time? 10Ashtu siç është e vërtetë që Zoti, Perëndia yt, rron, nuk ka komb dhe mbretëri në të cilin zoti im nuk ka dërguar njerëz të të kërkojnë; dhe kur thonin: "Nuk është këtu", ai i vinte të betoheshin mbretërinë dhe kombin që nuk kishin mundur të të gjenin. 11Dhe tani ti thua: "Shko t'i thuash zotërisë sate: Elia është këtu!". 12Por do të ndodh që sapo të largohem prej teje, Fryma e Zotit do të të çojë në një vend të panjohur nga unë; kështu unë do të shkoj t'ia njoftoj Ashabit, dhe ky, duke mos të gjetur, do të më vrasë. Dhe shërbëtori yt i druhet Zotit që i ri! 13A nuk i kanë njoftuar zotërisë sime atë që unë kam bërë kur Jezebeli vriste profetët e Zotit? Si fsheha njëqind nga këta profetë të Zotit, pesëdhjetë në një shpellë dhe pesëdhjetë në një tjetër, duke i furnizuar me bukë dhe me ujë? 14Dhe tani ti thua: "Shko t'i thuash zotërisë sate: Elia është këtu!". Por ai do të më vrasë". 15Atëherë Elia u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti i ushtrive në prani të të cilit ndodhem, sot do të paraqitem te Ashabi". 16Abdia, pra, shkoi të kërkojë Ashabin dhe i njoftoi çështjen, dhe Ashabi i doli përpara Elias. 17Me ta parë Elian i tha: "Ti je pikërisht ai që e bën rrëmujë Izraelin?". 18Elia u përgjigj: "Nuk jam unë që e bëj rrëmujë Izraelin, por ti dhe shtëpia e atit tënd, sepse keni braktisur urdhërimet e Zotit dhe ti ke shkuar pas Baalëve. 19Prandaj dërgo tani të thërrasin tërë Izraelin pranë meje në malin Karmel, bashkë me katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit dhe katërqind profetët e Asherahut që hanë në tryezën e Jezebelit". 20Kështu Ashabi dërgoi e thirri tërë bijtë e Izraelit dhe i mblodhi profetët në malin Karmel. 21Atëherë Elia iu afrua tërë popullit dhe tha: "Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë". Populli nuk tha asnjë fjalë. 22Atëherë Elia i tha popullit: "Kam mbetur vetëm unë nga profetët e Zotit, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë. 23Le të na jepen dy dema të rinj; ata të zgjedhin një dem për veten e tyre, le ta copëtojnë dhe ta vënë mbi drutë pa i ndezur ato; unë do të përgatis demin tjetër dhe do ta vendos mbi drutë pa i ndezur ato. 24Ju do t'i bëni thirrje perëndisë suaj dhe unë do të thërres Zotin; perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit është Perëndia". Tërë populli u përgjigj dhe tha: "E the bukur!". 25Atëherë Elia u tha profetëve të Baalit: "Zgjidhni një dem të ri dhe përgatiteni të parët sepse jeni më shumë; pastaj kërkoni ndihmën e perëndisë suaj, pa e ndezur zjarrin". 26Kështu ata morën demin që u dhanë dhe e përgatitën; pastaj përmendën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në drekë, duke thënë: "O Baal, na u përgjigj!". Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe asnjeri nuk u përgjigj; ndërkaq ata kërcenin rreth altarit që kishin ndërtuar. 27Në mesditë Elia filloi të tallet me ta dhe tha: "Ulërini më fort sepse ai është zoti; ndofta është duke menduar thellë, ose është i zënë me punë ose udhëton, ose ka rënë në gjumë e duhet zgjuar". 28Dhe kështu ata filluan të ulërijnë më fort dhe të priten me shpata dhe shtiza sipas zakoneve që kishin, deri sa të kullonin gjak. 29Me të kaluar mesdita, ata bënë profeci deri në kohën që ofrohej blatimi; por nuk u dëgjua asnjë zë, asnjeri nuk u përgjigj dhe askush nuk ua vuri veshin. 30Atëherë Elia i tha tërë popullit: "Afrohuni pranë meje!". Kështu tërë populli iu afrau dhe ai ndreqi altarin e Zotit që e kishin prishur. 31Pastaj Elia mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: "Emri yt do të jetë Izrael". 32Me gurët ndërtoi një altar në emër të Zotit dhe hapi një gropë rreth tij me një kapacitet prej dy masash gruri. 33Pastaj rregulloi drutë, copëtoi demin dhe e vuri mbi drutë. Dhe tha: "Mbushni katër enë me ujë dhe i derdhni mbi olokaustin dhe mbi drutë". 34Përsëri tha: "Bëjeni një herë të dytë". Dhe ata e bënë një herë të dytë. Ai tha akoma: "Bëjeni për të tretën herë". Dhe ata e bënë për të tretën herë. 35Uji rridhte rreth altarit dhe ai mbushi me ujë edhe gropën. 36Në orën që ofrohej blatimi, profeti Elia u afrua dhe tha: "O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, vepro në mënyrë të tillë që të dihet që ti je Perëndi në Izrael, që unë jam shërbëtori yt që i bëra tërë këto gjëra me urdhrin tënd. 37Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull të pranojë që ti, o Zot, je Perëndia, dhe ke bërë të kthehen te ti zemrat e tyre". 38Atëherë ra zjarri i Tzotit dhe konsumoi olokaustin, drutë, gurët dhe pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë. 39Para kësaj pamjeje tërë populli u shtri me fytyrën për tokë dhe tha: "Zoti është Perëndia!. 40Pastaj Elia u tha atyre: "Zini Profetët e Baalit; mos lini t'ju ikë as edhe një!". Kështu ata i kapën dhe Elia i zbriti në përruan Kishon, ku i theri. 41Pastaj Elia i tha Ashabit: "Ngjitu, ha dhe pi, sepse dëgjohet që tani zhurma e një shiu të madh". 42Kështu Ashabi u ngjit për të ngrënë dhe për të pirë; por Elia u ngjit në majë të Karmelt, u përkul deri në tokë dhe vuri fytyrën midis gjunjëve, 43dhe i tha shërbëtorit të tij: "Tani ngjitu dhe shiko nga ana e detit!". Ai u ngjit, shikoi dhe tha: Nuk ka asgjë". Elia i tha: "Kthehu të shikosh, shtatë herë". 44Herën e shtatë shërbëtori tha: "Éshtë një re e vogël, e madhe si pëllëmba e një dore që ngjitet nga deti". Atëherë Elia tha: "Shko dhe i thuaj Ashabit: "Lidhi kuajt në qerre dhe zbrit para se të të zërë shiu"". 45Brenda një kohe të shkurtër qielli u errësua për shkak të reve e të erës, dhe ra një shi i madh. Kështu Ashabi hipi mbi qerre dhe shkoi në Jezreel. 46Dora e Zotit ishte mbi Elian, që shtrëngoi ijet dhe vrapoi para Ashabit deri në hyrje të Jezreelit.

Copyright information for Alb