‏ 2 Chronicles 7

1Kur Salomoni mbaroi së luturi, nga qielli ra një zjarr që konsumoi olokaustin dhe flijimet dhe lavdia e Zotit mbushi tempullin. 2Priftërinjtë nuk mund të hynin në shtëpinë e Zotit, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit. 3Tërë bijtë e Izraelit, kur panë që zjarri po zbriste dhe lavdia e Zotit po vendosej mbi tempullin, ranë përmbys me fytyrë mbi dysheme, duke adhuruar dhe lëvduar Zotin, "sepse është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon në përjetsi". 4Pastaj mbreti dhe tërë populli ofruan flijime përpara Zotit, 5mbreti Salomon ofroi si flijim njëzet e dy mijë lopë dhe njëqind e njëzet mijë dele. Kështu mbreti dhe tërë populli shenjtëruan shtëpinë e Perëndisë. 6Priftërinjtë kryenin detyrat e tyre, po kështu Levitët me veglat e tyre muzikore të kushtuara Zotit, që mbreti David kishte bërë për të lëvduar Zotin, "sepse mirësia e tij është e përjetshme", sa herë që Davidi lëvdonte me anë të tyre. Priftërinjtë u binin borive para tyre, ndërsa tërë Izraeli qëndronte në këmbë. 7Salomoni shenjtëroi pjesën qëndrore të oborrit që ishte përballë shtëpisë të Zotit; aty pikërisht ofroi olokauste dhe dhjamin e flijimeve të falenderimit, sepse altari prej bronzi që Salomoni kishte bërë nuk i zinte dot olokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin. 8Në atë kohë Salomoni kremtoi festën shtatë ditë dhe tërë Izraeli bashkë me të. Me Salomonin u bashkua një mori e madhe njerëzish të ardhur nga rrethinat e Hamathit deri në përroin e Egjiptit. 9Ditën e tetë bënë një mbledhje solemne, sepse kishin kremtuar kushtimin e altarit shtatë ditë dhe festën shtatë ditë të tjera. 10Ditën e njëzetetretë të muajit të shtatë ai e ktheu në çadrat e tij popullin tërë qejf dhe të gëzuar për të mirën që Zoti i kishte bërë Davidit, Salomonit dhe Izraelit, popullit të tij. 11Kështu Salomoni përfundoi shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror të tij, dhe arriti të mbarojë gjithshka që kishte në zemër për shtëpinë e Zotit dhe për shtëpinë e vet. 12Pastaj Zoti iu shfaq natën Salomonit dhe i tha: "E plotësova lutjen tënde dhe zgjodha këtë vend për vete si shtëpi flijimesh. 13Kur do të mbyll qiellin dhe nuk do të ketë më shi, kur do të urdhëroj që karkalecat të gllabërojnë vendin, kur do t'i dërgoj murtajën popullit tim, 14në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t'i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij. 15Tani sytë e mi do të jenë të hapur dhe veshët e mi të vëmendshëm për lutjen e bërë në këtë vend, 16sepse tani kam zgjedhur dhe shenjtëruar këtë tempull, që emri im të mbetet aty përjetë; sytë dhe zemra ime do të jenë gjithnjë aty. 17Sa për ty, në qoftë se do të ecësh para meje ashtu si ka ecur Davidi, ati yt, duke kryer të gjitha ato që të kam urdhëruar, dhe në rast se do të respektosh statutet dhe dekretet e mia, 18do ta bëj të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate, ashtu siç jam marrë vesh me Davidin, atin tënd, duke thënë: "Nuk do të mungojë kurrë një njeri që të mbetërojë mbi Izraelin". 19Por në rast se do të drejtoheni gjetiu dhe do të braktisni statutet dhe urdhërimet e mia që ju kam vënë përpara dhe do të shkoni t'u shërbeni perëndive të tjera dhe të bini përmbys përpara tyre, 20atëherë do t'ju çrrënjos nga vendi im që ju kam dhënë dhe nuk do të jem më i pranishëm në këtë tempull që ia shenjtërova emrit tim, duke e bërë gazin dhe lojën e të gjithë popujve. 21Kushdo që do të kalojë pranë këtij tempulli aq të madhërishëm do të habitet dhe do të thotë: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë vend dhe këtë tempull?". 22Atëherë do t'i përgjigjen: "Sepse kanë braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre që i nxori nga vendi i Egjiptit, kanë pranuar perëndi të tjera, kanë rënë përmbys para tyre dhe u kanë shërbyer; prandaj Zoti ka sjellë mbi ta tërë këtë fatkeqësi"".

Copyright information for Alb