Acts 8
1Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve. 2Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të. 3Por Sauli po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg. 4Ata, pra, që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën. 5Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin. 6Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte. 7Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të idemonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin. 8Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh. 9Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh. 10Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: ''Ky është fuqia e madhe e Perëndisë''. 11Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me mjeshtrinë e tij prej magjistari. 12Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan. 13Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur. 14Por kur apostujt dëgjuan në Jeruzalem se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, i dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin. 15Kur këta arritën, u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë, 16sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjë prej tyre, por ata vetëm ishin pagëzuar në emër të Zotit Jezus. 17Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Frymën e Shenjtë. 18Dhe Simoni, kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepej Fryma e Shenjtë, u ofroi atyre para, 19duke thënë: ''Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që ai të cilit do t'i vë duart, të marrë Frymën e Shenjtë''. 20Por Pjetri i tha: ''Le të humbasë paraja jote dhe ti bashkë me të, sepse ti mendove se mund ta blesh me para dhuratën e Perëndisë. 21Ti nuk ke as pjesë as short në këtë gjë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë. 22Pendohu, pra, për këtë ligësi që ke dhe lutju Perëndisë që, po të jetë e mundur, të të falet mendimi i zemrës sate. 23Sepse unë të shoh se je në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë''. 24Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: ''Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga ato që thatë''. 25Ata, pra, pasi dhanë dëshmi dhe predikuan fjalën e Zotit, u kthyen në Jeruzalem, mbasi ungjillzuan shumë fshatra të Samaritanëve. 26Dhe një engjëll i Zotit i foli Filipit, duke i thënë: ''Çohu dhe shko drejt jugut, në rrugën që nga Jeruzalemi zbret në Gaza; ajo është e shkretë''. 27Ai u ngrit dhe u nis; dhe ja, një njeri Etiopas, eunuk, një zyrtar i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë, përgjegjës i të gjitha thesareve të saj, i cili kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar. 28Tani ai po kthehej dhe, i ulur në karrocën e vet, lexonte profetin Isaia. 29Dhe Fryma i tha Filipit: ''Afrohu dhe arrije atë karrocë!''. 30Filipi iu turr afër dhe, duke dëgjuar se po lexonte profetin Isaia, i tha: ''A e kupton atë që lexon?''. 31Ai tha: ''E si do të mundja, po s'pata një që të më udhëzojë?''. Pastaj iu lut Filipit të hipë dhe të ulet pranë tij. 32Por pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: ''Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet. 33Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka''. 34Dhe eunuku iu kthye Filipit dhe tha: ''Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për veten e vet apo për ndonjë tjetër?''. 35Atëherë e mori fjalën Filipi dhe, duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli Jezusin. 36Dhe, ndërsa po vazhdonin rrugën, arritën në një vend me ujë. Dhe eunuku tha: ''Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem?''. 37Dhe Filipi tha: ''Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh''. Dhe ai u përgjigj duke thënë: ''Unë besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë''. 38Urdhëroi atëherë të ndalet karroca, dhe të dy, Filipi dhe eunuku, zbritën në ujë dhe ai e pagëzoi. 39Kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më; por e vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim. 40Por Filipi u gjet në Azot; dhe, duke vazhduar, ungjillëzoi të gjitha qytetet, derisa arriti në Cezare.
Copyright information for
Alb