Ephesians 4
1Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët, 2me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, 3duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes. 4Éshtë një trup i vetëm dhe një Frym i vetëm, sikurse ju u thirrët në shpresën e vetme të thirrjes suaj. 5Éshtë një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm, 6një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë. 7Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit. 8Për ç'ka Shkrimi thotë: ''Kur ai u ngjit lart, ai e burgosi burgosjen dhe u dha dhurata njerëzve''. 9Tani kjo: ''Ai u ngjit'', ç'do të thotë tjetër përveç se ai më parë edhe kishte zbritur në pjesët më të ulta të dheut? 10Ai që zbriti është po ai që edhe u ngjit përmbi të gjithë qiejt, për të përmbushur të gjitha gjërat. 11Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, 12për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, 13derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit, 14që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit, 15por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti. 16Prej të cilit gjithë trupi, i lidhur mirë dhe i bashkuar, me anë të kontributit që jep çdo gjymtyrë dhe sipas forcës së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri. 17Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre, 18të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre. 19Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur. 20Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin, 21në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe keni qënë të mësuar në të sipas së vërtetës që është në Jezusin, 22që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës, 23dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj 24dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës. 25Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t'i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njeri me tjetrin. 26Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj; 27dhe mos i jepni vend djallit. 28Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t'i japë diçka atij që ka nevojë. 29Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t'u japë hir atyre që dëgjojnë. 30Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit. 31Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi. 32Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.
Copyright information for
Alb