Genesis 45
1Atëherë Jozefi nuk e përmbajti dot më veten para tërë të pranishmëve dhe briti: "Nxirrini jashtë të gjithë nga prania ime!". Kështu nuk mbeti asnjëri me Jozefin kur ai u tregoi vëllezërve të tij se kush ishte. 2Dhe qau aq fort sa që e dëgjuan edhe vet Egjiptasit, dhe ky lajm arriti edhe në shtëpinë e Faraonit. 3Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë jam Jozefi, a është ende gjallë ati im?". Por vëllezërit e tij nuk mund t'i përgjigjeshin, sepse ishin të tronditur thellë në praninë e tij. 4Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Afrohuni, pra, tek unë!". Ata iu afruan dhe ai u tha: "Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët që ta çonin në Egjipt. 5Por tani mos u trishtoni dhe mos t'ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj. 6Në fakt u bënë dy vjet që ra zija e bukës në vend; dhe do të ketë pesë vjet të tjera gjatë të cilave as do të lërohet, as do të korret. 7Por Perëndia më ka dërguar para jush, me qëllim që të ruhet diçka mbi tokë dhe për t'ju shpëtuar jetën me një çlirim të madh. 8Nuk jeni ju, pra, që më dërguat këtu, por është Perëndia; ai më caktoi si atë i Faraonit, si zot i krejt shtëpisë së tij dhe si qeveritar i tërë vendit të Egjiptit. 9Nxitoni të riktheheni tek ati im dhe i thoni: "Kështu thotë biri yt Jozefi: Perëndia më ka caktuar si zot i gjithë Egjiptit; zbrit tek unë, mos u vono; 10ti do të banosh në vendin e Goshenit dhe do jesh afër meje; ti dhe bijtë e tu, bijtë e bijve të tu, kopetë e bagëtive të imta e të trasha dhe gjithçka ti zotëron. 11Dhe atje unë do të të ushqej, sepse do të ketë edhe pesë vjet të tjera zije, me qëllim që ti të mos katandisesh në mjerim: ti, familja jote dhe gjithçka zotëron". 12Dhe ja, sytë tuaja dhe sytë e vëllait tim Beniaminit shohin që është goja ime që ju flet. 13Tregojani, pra, atit tim tërë lavdinë time këtu në Egjipt dhe gjithçka patë, shpejtoni ta sillni atin tim këtu". 14Pastaj iu hodh në qafë vëllait të tij Beniamin dhe qau, dhe Beniamini qau i shtrënguar në qafën e tij. 15Ai puthi gjithashtu tërë vëllezërit e tij dhe qau i shtrënguar me ta. Pastaj vëllezërit e tij filluan të flasin me të. 16Jehona e kësaj ngjarjeje u përhap në shtëpinë e Faraonit dhe njerëzit thanë: "Kanë ardhur vëllezërit e Jozefit". Kjo i pëlqeu Faraonit dhe shërbëtorëve të tij. 17Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Thuaju vëllezërve të tu: "Bëni këtë: Ngarkoni kafshët tuaja dhe shkoni; kthehuni në vendin e Kanaanit. 18Pastaj merrni atin tuaj dhe familjet tuaja, dhe ejani tek unë; unë do t'ju jap më të mirat e vendit të Egjiptit dhe do të hani prodhimet më të zgjedhura të vendit". 19Ti ke urdhërin t'u thuash atyre: "Bëni këtë: Merrni me vete nga vendi i Egjiptit qerre për të vegjëlit tuaj dhe për gratë tuaja; merrni atin tuaj dha ejani. 20Dhe mos u shqetësoni për orenditë shtëpiake, sepse sendet më të mira që ka Egjipti do të jenë tuajat"". 21Bijtë e Izraelit vepruan kështu, dhe Jozefi u dha atyre qerre, simbas urdhërit të Faraonit, si edhe ushqime për udhëtimin. 22Të gjithëve u dha një palë rroba për ndërresë për secilin, por Beniaminit i dha treqind sikla argjendi dhe pesë ndërresa veshmbathje; 23atit të tij i dërgoi: dhjetë gomarë të ngarkuar me gjërat më të mira të Egjiptit, dhjetë gomarica të ngarkuara me grurë, bukë dhe ushqime për atin e tij gjatë udhëtimit. 24Kështu i nisi vëllezërit e tij dhe, ndërsa ata po iknin, u tha: "Mos u grindni rrugës". 25Atëherë ata u ngjitën përsëri nga Egjipti dhe arritën në vendin e Kanaanit te Jakobi, ati i tyre. 26Dhe i kallëzuan gjithçka, duke thënë: "Jozefi është ende gjallë dhe është qeveritari i gjithë shtetit të Egjiptit". Por zemra e atij nuk iu ngroh, sepse nuk u besonte atyre. 27Po kur ata i treguan tërë fjalët që u kishte thënë Jozefi dhe kur pa qerret që Jozefi kishte dërguar për ta marrë atë, atëherë shpirti i Jakobit atit të tyre, u ringjall 28dhe Izraeli tha: "Mjaft; djali im Jozefi është ende gjallë; unë do të shkoj ta shoh para se të vdes".
Copyright information for
Alb