Titus 3
1U kujto atyre që t'u nënshtrohen pushtetarëve dhe autoriteteve, të jenë të bindur, gati për çdo vepër të mirë, 2të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve. 3Sepse edhe ne dikur ishim të pamendë, rebelë, endacakë, robër të lakmive të ndryshme dhe të qejfeve, duke jetuar në ligësi dhe në smirë, të urryer dhe duke e urryer njeri tjetrin. 4Po kur u shfaq mirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe dashuria e tij për njerëzit, 5ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë, 6të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë, 7që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi. 8Kjo fjalë është e sigurt, dhe dua që ti të pohosh me forcë këto gjëra, që ata që kanë besuar në Perëndinë të kujdesen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit. 9Por ti shmangu nga diskutimet e ma-rra, nga gjenealogjitë, nga grindjet dhe debatet rreth ligjit, sepse janë të padobishme dhe të kota. 10Shmangu nga njeriu sektar, mbasi ta kesh qortuar një herë e dy herë, 11duke ditur se një i tillë është çoroditur dhe mëkaton, duke dënuar vetveten. 12Kur të dërgoj Arteman ose Tikikun, bëj çmos për të ardhur tek unë në Nikopoli, sepse vendosa ta kaloj dimrin aty. 13Përcilli me kujdes për udhëtim Zenën, juristin e ligjit, dhe Apolonin, që të mos u mungojë gjë. 14Edhe le të mësojnë edhe tanët t'u kushtohen veprave të mira për nevojat e ngutshme, që të mos jenë të pafrytshëm. 15Të gjithë ata që janë me mua të bejnë të fala. Përshëndeti ata që na duan në besim. Hiri qoftë me ju të gjithë. Amen.
Copyright information for
Alb